close
Top LajmeVendi

GJATË JAVËS TAKOHET KOMISIONI MAQEDONASO-BULLGAR

2B4689CC-D145-4D9A-A45A-C3F662E2B887

MESAZHE POLITIKE PARA TAKIMIT


Të  enjten dhe të premten në Shkup pas më shumë se një viti do të takohen anëtarët e Komisionit maqedonas-bullgar për çështje historike, në përpjekjen e rradhës për t’i përafruar dallimet në mes ngjarjeve dhe figurave nga e kaluara, të cilat në të dyja vendet festohen si momente të ndritshme të historisë kombëtare. Ministrja bullgare e punëve të jashtme, Ekaterina Zaharieva, shpreh bindjen se Komisioni nuk punon me udhëzime politike dhe se puna duhet të vazhdojë në mënyrë më dinamike. Burime nga pala maqedonase thonë se krahasim me kontestet e ngjajshme në Evropë, dinamika e punës së deritanishme është e kënaqshme dhe nuk duhet të bëhet presion për zgjidhjen e çështjeve që kanë qenë të hapura me dekada.

Për 9 takime sa janë mbajtur nga nënshkrimi i Marrëveshjes për fqinjësi të mirë në mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, në vitin 2017, Komisioni i përbashkët për çështje historike ka vendosur qe në mënyrë të përbashkët të nderohen iluministët sllavë Kirili dhe Metodij, Shën Naumi dhe Klimenti i Ohrit dhe Car Samoili – si përfaqësues legjitim i Perandorisë Bullgare të shekullit të 10-të. Historianët e të dyja vendeve kanë gjetur bazë të përbashkët edhe për nderim të poetit nga Ohri,Grigor Përliçev, por Qeveria në Sofje e ka hedhur poshtë propozimin megjithë pohimin e ministres së punëve të jashtme Ekaterina Zaharieva se Komisioni është i pavarur dhe punon pa udhëzime politike. 

Në Bullgari Komisioni është historik, jo politik. Presim që Komisioni të gjejë mirëkuptim për ngjarjet dhe figurat historike, të bëjë një listë dhe presim që ato ngjarje për të cilat tashmë ka arritur marrëveshje, të jenë pjesë e programeve mësimore në të dyja vendet dhe të shënohen në mënyrë të përbashkët, sepse disa prej shënimeve të ngjarjeve dhe figuarve i kemi lëshuar, madje edhe ato për të cilat kemi arritur marrëveshje, pa marrë parasysh nëse janë pak ose shumë.” tha Ekaterina Zaharieva – Ministre E Punëve Të Jashtme, Bullgari 


Historianët nga të dyja vendet, të cilët të enjten dhe të premten në Shkup do të takohen pas pauzës pothuajse njëvjeçare, kanë ngecur në figurën dhe veprën e revolucionarit të fundit të shekullit të 19-të dhe fillimit të shekullit 20-të, Goce Delçev, i cili nderohet si hero në të dyja anët e kufirit. Politikanët problemin e kanë plotësuar me mohimin bullgar të gjuhës maqedonase dhe kërcënimin se pa lëshime nga ana e Shkupit, vendi nuk do të mund t’i fillojë negociatat aderuese me Bashkimin Evropian.

Nuk është sfidë evropiane që gjuha maqedonase të bëhet pengesë për të ardhmen dhe integrimin tonë evropian. Në qoftë se BE-ja lejon në ndonjë mënyrë që kjo të jetë pengese atëherë nuk do ta meritojë mbiemrin “evropian”. Të gjithë që dëshirojnë të jenë të afërt dhe miqë me popullin maqedonas duhet të pranojnë çfarë gjuhe flasim, ne e flasim gjuhën maqedonase.”  tha Zv/Kryeministri – Nikola Dimitrov


Bullgaria e pranon të drejtën për vetëpërcaktim të popullit maqedonas pas Luftës së Dytë Botërore, përkatësisht siç e formuloi Zaharieva në konferencë për shtyp të premten – “realiteti bashkëkohor”, duke kërkuar që Maqedonia e Veriut ta pranojë “realitetin historik të lidhur me procesin e krijimit të identitetit të ri kombëtar”. Për anëtarët e Komisionit maqedonas, ky është formulim i papranueshëm, i tejkaluar në shkencës e historisë, e cila gjatë zgjidhjes së kontesteve të ngjajshme shërbehet me të ashtuquajturën “qasje multi-perspektive”, qëllimi i së cilës është të krijohet empati te të dyja palët për pikat kontestuese në histori. Kryeministri Zoran Zaev në lidhje me kushtëzimet bullgare dje paralajmëroi se nuk janë në shërbim të marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe në qoftë se vazhdojnë ndoshta nuk do të fillojnë negociatat për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE, që priten në muajin dhjetor. Zaev megjithatë beson se në ditët në vijim do të gjendet zgjidhje./KlanMacedonia

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia