close
Bota

GJERMANI: NGA NËNTË VIKTIMAT, TRE NGA KOSOVA

90492080_mediaitem90492079

Autoritetet gjermane kanë bërë të ditur se sulmuesi në qendrën tregtare në Mynih është një Iranian 18 vjeçar me shtetësi të dyfishtë. Motivet e sulmit në të cilin humbën jetën nëntë persona, prej të cilëve edhe tre nga Kosova, ende nuk dihen, por policia ka përjashtuar mundësinë që ai të ketë lidhje me ISIS-in. Shefi i policisë gjermane ndërkaq nuk ka përjashtuar mundësinë që autori të jetë frymëzuar nga vrasja e 77 personave nga Anders Breivik para saktësisht pesë vjetësh në Norvegji.

Ngjarja e Mynihut po trajtohet si një rast klasik i dikujt në gjendje amoku pa motivim politik”, deklaroi nga ana e saj prokuroria duke shtuar se adoleshenti, një student gjermano-iranian kishte marrë edhe mjekim për probleme psikike. Shefi i policisë gjermane, Hubertus Andrae deklaroi sot se, pas kontrolleve në shtëpinë e tij, policia nuk kishte gjetur fakte që lidhnin vrasësin e djeshëm në Mynih me Shtetin Islamik. Sipas tij, sulmi i kryer në një qendër tregtare në qytetin jugor gjerman, që mori jetën e nëntë personave vlerësohet të jetë frymëzuar nga vrasja e 77 personave nga Anders Breivik para saktësisht pesë vjetësh në Norvegji.“Breivik mund ta ketë luajtur ndonjë rol”, ka thënë gjatë konferencës me gazetarë në Mynih, shefi i policisë së këtij qyteti, Hubertus Andrae. Ai ka shtuar se në dhomën ku ka jetuar autori i sulmit, ishin gjetur materiale për sulme masive me armë.

Ndërkaq, mes nëntë viktimave, janë edhe tre shqiptarë  nga Kosova. Armela Segashi 14 vjeçe, shoqja e saj Sabina Sulaj dhe Dijamant Zabergja 21 vjeç ishin në vendin ku 18-vjeçari me kombësi gjermano-iraniane, i identifikuar si  hapi zjarr mbi njerëzit. Lajmin e hidhur për vdekjen e tyre e dhanë familjarët dhe i njëjti u konfirmua edhe nga Ministria e Jashtme e Kosovës. Ajo është shprehur e tronditur nga sulmi terrorist, ndërsa ngushëllon familjarët e të vrarëve.

Ngushëllime familjeve kanë shprehur edhe udhëheqës të qeverisë, parlamentit e të partive politike në Kosovë.  Në nderim të viktimave, Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka shpallur të dielën, 24 korrik 2016, ditë zie në Kosovë.Përveç tre shtetasve nga Kosova është publikuar gjithashtu edhe kombësia për 4 viktima të tjerë, 3 janë nga Turqia dhe 1 nga Greqia. Policia gjerman ka konfirmuar se numri i të plagosurve  ka arritur numrin prej të paktën 27 personave. /TvArt/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia