close
BotaTop Lajme

GJERMANIA KA NEVOJË PËR PUNËTORË NGA BALLKANI

DW: Hapet shërbim i ri në procesin e njohjes së diplomave


Gjermania ka nevojë për fuqi të huaj punëtore, ndaj qeveria po përshpejton procesin e ardhjes së ekspertëve të huaj. Siç njofton Dojçe Vele, në Bon është hapur një shërbim i ri që do të koordinojë procesin e njohjes së diplomave.

Ekonomia gjermane varet nga fuqia e jashtme punëtore. Qeveria federale për këtë shkak ka nisur një program për sjelljen e fuqisë së huaj punëtore dhe ekspertëve nga vendet tjera në Gjermani, nën moton – “Make it in Germany”. Ky është prioriteti nacional.

“Pa ekspertë të huaj nuk mund ta mbajmë mirëqenien e tanishme. Nuk është e mundur që të presin tepër gjatë këta njerëz, duhet të punojmë për mundësinë e ardhjes së tyre.“ –shprehet Hubertus Heil, ministër i Punës.

Më 1 mars të këtij viti në Gjermani futet në fuqi ligji i ri për ardhjen e fuqisë punëtore. Me këtë ligj duhet të lehtësohet ardhja e fuqisë punëtore, por edhe kërkimi i fuqisë së nevojshme për punë nga vendet që nuk janë anëtare të BE. Në të ardhmen nuk do të vlejnë më rregullat sipas së cilave përparësi u jepet personave nga vendet anëtare të BE. Një nga rajonet e synuara nga punëdhënësit gjermanë është Ballkani Perëndimor. Punëtorët nga këto rajone kanë një reputacion të mirë:

“Në të kaluarën kemi pasur shumë kërkesa nga Ballkani Perëndimor, që është një prej rajoneve shumë të rëndësishme për ne. Atje kemi gjetur dhe gjejmë fuqi shumë të mirë, të kualifikuar dhe ekspertë, e atje kemi edhe shumë njerëz që zotërojnë gjuhën gjermane, që është një prej përparësive të mëdha për integrim të shpejtë në punë dhe shoqëri”, thotë për DW Torsten Rolfsmeier nga Enti federal për punësim.

Motivi për shkuarje në Gjermani nuk janë vetëm rrogat më të mira, por edhe korrupsioni, mungesa e perspektivës dhe mungesa e sundimit të ligjit në vendet prej nga vijnë ata. OSBE pohon se vetëm nga Serbia në periudhën prej vitit 2000 – 2015 janë larguar 650.000 persona – gati një e dhjeta e banorëve. Situata të ngjashme kemi edhe në vendet tjera të Ballkanit Perëndimor. /Klan Macedonia/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia