close
Bota

Gjigandi i naftës arriti fitime të larta për shkak të rritjes së çmimeve

thumbs_b_c_5e0eaa324a6e9681f7202982a6be66a3 (1)

Saudi Aramco ka publikuar së fundi fitimet më të larta që nga listimi i saj në vitin 2019, pasi çmimet e naftës dhe të gazit po rriten në mbarë botën.Gjigandi shtetëror i energjisë pati një rritje me 82% të fitimeve, me të ardhurat neto që kaluan 39.5 miliardë dollarë në tremujorin e parë.

Në një deklaratë për shtyp, firma tha se fitimi i saj ishte rritur si pasojë e çmimeve të larta, si dhe nga rritja e prodhimit.Pushtimi i Ukrainës ka bërë që çmimet e naftës dhe të gazit të rriten në përmasa të jashtëzakonshme.Rusia është një nga eksportuesit më të mëdhenj në botë, por vendet perëndimore janë zotuar se do të shkëputen nga varësia ndaj Rusisë për energji. Çmimet e naftës kishin filluar të rriteshin që përpara luftës në Ukrainë, pasi ekonomitë filluan të rimëkëmbeshin nga pandemia e Covid duke bërë që kërkesa të tejkalonte ofertën.

Edhe disa firma të tjera të energjisë, duke përfshirë Shell, BP dhe TotalEnergies, kanë raportuar fitime të larta si rezultat i rritjes së ҫmimeve, megjithëse shumë prej tyre po përballojnë kostot e ndërprerjes së aktivitetit të tyre në Rusi.Siguria e energjisë është ‘jetike’Presidenti dhe shefi ekzekutiv i Aramco, Amin Nasser, tha të dielën se kompania ishte “e fokusuar në përmbushjen e kërkesës globale për energji të besueshme, të përballueshme dhe gjithnjë e më të qëndrueshme”.

“Siguria energjetike është jetike dhe ne po investojmë për në afatgjatë,” shtoi ai.

Në mars, ky prodhues i naftës dhe i gazit u zotua se do të rriste ndjeshëm investimet dhe prodhimin në pesë deri në tetë vitet e ardhshme. Po atë muaj, kryeministri Boris Johnson vizitoi eksportuesin më të madh të naftës në botë për t’u përpjekur që ta bindë për të nxjerrë më shumë naftë në tregjet botërore në planin afatshkurtër.

Arabia Saudite është prodhuesi më i madh në kartelin e naftës OPEC (Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës) dhe, duke rritur prodhimin, ajo mund të ndihmojë në uljen e çmimeve të energjisë.Por, ky vend është dënuar për një sërë abuzimesh të të drejtave të njeriut: për përfshirjen e tij në konfliktin e Jemenit fqinj, për vrasjen në vitin 2018 të gazetarit Jamal Khashoggi, për burgosjen e disidentëve dhe për përdorimin e gjerë të dënimit me vdekje.

Edhe vetë Aramco po përballet me sfida sigurie për shkak të konfliktit në Jemen, pasi rebelët Huthi kanë targetuar disa nga objektet e saj dhe kanë dëmtuar përkohësisht një pjesë të madhe të prodhimit të natfës të mbretërisë.

Rezultatet e fundit vijnë disa ditë pasi Aramco rimori vendin e parë si kompania me vlerën më të madhe në botë, duke ia kaluar edhe Apple për herë të parë në pothuajse dy vite.Aramco gjithashtu njoftoi të dielën se do të shpërndajë 20 miliardë kuota bonus për aksionerët – nga një kuotë për çdo 10 aksione që zotërohen./ BBC

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia