close
Vendi

GJINEKOLOGU NGA STRUGA THIRRET NË QEVERI

142771582_2920551531499700_8771850370573676405_n

INSPEKTORATI NDALON KONTROLLET, RASTI PARAQITET NË PROKURORI


Ende nuk dihet nëse Drejtori i Spitalit të Strugës, Muhamed Asani, i cili ka punuar edhe në ordinancën e tij private ilegale në shtëpi, përveç ndalesës për veprimtari shtesë, gjithashtu do të shkarkohet nga pozita e drejtorit. Zv/kryeministri për luftë kundër korrupsionit, Lupço Nikolovski, sot deklaroi se Asani është thirrur në Qeveri për të biseduar, ndërsa pritet edhe raporti nga Oda e Mjekëve, e cila e analizon punën e mjekut nga aspekti medicinal dhe moral. Lehona e cila e ka ngritur këtë rast thotë se përveç saj ka edhe paciente të tjera të dëmtuara në Dibër.

Inspektorati sanitar ka shqiptuar ndalesë për veprimtari shtesë për gjinekologun nga Struga Muhamed Asani, pasi paraprakisht disa paciente të tij kanë dëshmuar se janë trajtuar te ai në shtëpi, në ordinancë ilegale, në të cilën ka punuar edhe djali i tij. A do të ketë edhe dorëheqje nga pozita e drejtorit, për momentin nga Qeveria, ku është thirrur për të biseduar, ende nuk është saktësuar.

LUPÇO NIKOLOVSKI, ZV/KRYEMINISTËR

“Kjo është situatë që nuk lejohet, në hapësira që nuk janë të regjistruara që të kryejnë kontrolle gjinekologjike. Për këtë arsye menjëherë kemi reaguar si kabinet, në mënyrë institucionale, me marrjen e të gjitha vendimeve dhe ndjekjen e këtij rasti në Prokurorinë Publike. Për të gjitha informacionet e mëtejshme sot në Qeveri është thirrur edhe drejtori dhe gjithsesi se do të merren të gjitha masat që janë të nevojshme. Pritet edhe kontroll profesional nga Oda e Mjekëve në vetë spitalin.”

Kontrolli nga inspektorët vijoi pasi në këtë shërbim kanë arritur dëshmi nga katër paciente, se janë kontrolluar në shtëpinë e Asanit pas orës 15, njëra prej tyre para 8 vitesh. Vëmendje më të madhe ka tërhequr dëshmia e Jëlldëz Veaposka, nëna 28-vjeçare e dy fëmijëve, nga Dibra, e cila për shkak të komplikimeve gjatë lindjes në spitalin e Strugës te doktor Asani, i cili paraprakisht e ka ndjekur shtatzaninë e saj në ordinëncën private, ka përfunduar e kyçur në aparate në Qendrën Klinike në Shkup, pa disa organe.

JËLLDËZ VEAPOSKA, PACIENTE 

“Pse të gjithë heshtin? Pse askush nuk reagon për këtë rast? Edhe sa shpirtëra duhet të marrë ky njeri, të dëmtojë? Unë nuk jam e vetmja, ka edhe raste të tjera në Dibër.”

Veaposka, me profesion motër medicinale, pas agonisë nëpër të cilën ka kaluar pas lindjes, si pasojë është mjekuar edhe për çrregullim psiqik. Ajo tani kërkon që Oda e Mjekëve ta hetojë rastin edhe në aspekt medicinal dhe të përgjigjet pse pas një shtatzënie normale, siç pohon, ka përfunduar pa veshkë, pa mitër dhe pa njërën vezore, pas lindjes që është bërë në Strugë. /KlanMacedonia

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia