Gjithnjë e më pak të rinj në Gjermani

Asnjëherë nuk ka pasur kaq pak të rinj të moshës 15 deri në 24 vjeç në Gjermani sa sot. Brezi i kësaj grupmoshe përbën vetëm dhjetë përqind të popullsisë, ndërsa në vitin 1983 kuota ka qenë 16.7 përqind.

Sikurse njofton Enti Federal i Statisitkkave në Viesbaden, në fund të vitit 2021 vetëm një në dhjetë vetë në Gjermani ishte në moshën nga 15 deri në 24 vjeç. Përpara 40 vjetësh raporti ka qenë një në gjashtë vetë. Në këtë mënyrë numri i të rinjve të kësaj grupmoshe si në shifra absolute ashtu edhe në kuotë është më i ulët se asnjëherë më parë që nga vitet 1950.

Me përjashtim të vitit 2015 kuota e kësaj grupmoshe është ulur vazhdimisht. Të rinjtë kanë pasur kuotën më të lartë në përbërjen e popullsisë, sipas statistikave, në gjysmën e parë të viteve 80-të, kur të lindurit në vitet e ashtuquajtur bum i bebeve ishin në moshën e rinisë. Më 1983 13,1 milionë njerëz në moshën nga 15 deri në 24 vjeç përbënin 16.7 përqind të popullsisë.

Ndër landet federale ka një diskrepancë të madhe. Numrin më të lartë të të rinjve e ka qyteti-shtet i Bremenit me një kuotë njëmbëdhjetë përqind, ndërsa kuotën më të ulët e mban landi i Brandenburgut me tetë përqind dhe landet lindore Saksoni-Anhalt dhe Meklenburg-Pomerani me një kuotë secili nga 8.3 përqind. Baden-Vyrtenmbergu me 10.6 përqind, Renania Veriore-Vestfalia dhe Saksonia e Ulët me 10.5 përqind ndodhen mbi mesataren./DW

Lexo gjithashtu
Total
0
Share