close
Top LajmeVendi

GOSTIVAR: ‘PARTNERITETE GJITHPËRFSHIRËSE TEK BASHKËSITË’

Screenshot_6

Taravari: Do të hapim qendër për fëmijët me nevoja të veçanta dhe autizëm


Projekti ‘Partneritete  gjithpërfshirëse tek bashkësitë’ i cili është realizuar në gjashtë komuna të vendit, është prezantuar sot në qytetin e Gostivarit. Kreu i komunës Arben Taravari, u shpreh se komuna që ai drejton mbështet personat me aftësi të kufizuara dhe se planifikon që së shpejti të hap një qendër inkluzive për fëmijët me autizëm dhe me nevoja të veçanta.

‘Partneritete gjithpërfshirëse tek bashkësitë’ është projekti i realizuar nga Fondacioni për iniciativa arsimore dhe kulturore ‘Hap pas hapi’ – Maqedoni, që u prezantua në qytetin e Gostivarit. Nga ky fondacion, theksuan se me anë të këtij projekti janë munduar që tek komunat që ky projekt ka përfshirë të përmirësohet jeta e personave me aftësi të kufizuara.

‘Projekti është realizuar në gjashtë komuna, komuna e Gostivarit është njëra nga komunat me të cilat kemi punuar, ka qenë partneri ynë që nga fillimi i projektit, i cili realizohet që 18 muaj. Qëllimi i këtij projekti është që të përmirësojmë jetën e personave me aftësi të kufizuar. Komuna e Gostivarit ka punuar për gjithpërfshirjen në arsim, në tregun e punës, në krijimin e politikave, në punësim dhe të tjera.’ –shprehet Branka Gjakova, Fondacioni ‘Hap pas hapi’

Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari, deklaroi se komuna që ai drejton ka qenë shumë e hapur dhe mbështetëse për personat me aftësi të kufizuara dhe do të vazhdojë të funksionojë edhe më tutje në ndihmë të të njëjtëve, dhe siç u shpreh, planifikon të hap një qendër inkluzive për fëmijët me autizëm dhe me nevoja të veçanta.

Vlen të theksohet se rol të rëndësishëm në këtë projekt ka pasur edhe përfshirja e OJQ-së Hendimak. Ky projekt është financuar nga Komisioni Evropian nëpërmjet instrumentit europian për demokraci dhe të drejtat e njeriut, dhe mbështetja për shoqërinë qytetare nëpërmjet programit nacional për mbështetje. I njëjti realizohet nga muaji mars i vitit 2018 dhe do të zgjasi deri në shkurt të vitit 2020. /Blerona Jakupi/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia