close
Rajoni

GREQIA DËBON AMBASADORIN E LIBISË

Screenshot_7

Greqia ka dëbuar ambasadorin e Libisë në Athinë, pas nënshkrimit të një memorandumi të diskutueshme midis Tripolit dhe Ankarasë.

Sipas palës greke, memorandumi për delimitimin e zonave detare, i nënshkruar para disa ditësh nga Turqia dhe Libia, “shkel të drejtën ndërkombëtare” dhe “cënon sovranitetin e Greqisë dhe të shteteve të tjerë në rajon”.

Pala greke pretendon se marrëveshja, që u votua urgjentisht në parlamentin turk, eliminon zonat ekskluzive ekonomike të Kretës, Rodosit dhe disa ishujve të tjerë grekë.

Kryeministri Mitsotakis e diskutoi këtë çështje për më shumë se një orë e gjysmë me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, por në fund secila palë mbajti qëndrimet e veta.

Athina kërkoi nga ambasadori i Libisë që t’i dorëzonte tekstin dhe hartat e memorandumit, gjë që ambasadori nuk e bëri. Prandaj dhe të premten paradite ai u thirr në selinë e ministrisë së Jashtme, ku iu komunikua vendimi se duhet që brenda 72 orësh të largohet nga Athina, si persona non grata.

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, deklaroi se kjo lëvizje nuk do të thotë që Greqia ndërpret marrëdhëniet diplomatike me Libinë. /Robert Goro, Athinë/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia