close
RajoniTop LajmeVendi

GREQIA, INICIATIVË PËR NEGOCIATA TË BE-së ME SHKUPIN DHE TIRANËN

Screenshot_6

Greqia mbështet nismën e Italisë për t’u hapur sa më shpejt negociatat e anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Madje edhe vetë Athina po shqyrton marrjen e një iniciative nga ana e vet, duke theksuar se çdo hap duhet bërë me kujdes.

Edhe pse ka shpallur si prioritet fuqizimin e rolit të vet në Ballkanin Perëndimor, Greqia qëndroi pasive ndaj mosmarrjes së një vendimi për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Tashmë duket se po do të futet në lojë dhe të fitojë kohën e humbur. Por ende nuk i hap letrat e veta.

Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë, zëdhënësi i ministrisë së jashtme greke, Aleksandros Gennimatas, tha se Athina do ta shpallë në kohën e duhur iniciativën e vet, me synimin që të arrihet rezultati më i mirë i mundshëm.

“Prandaj duhet bërë një parapërgatitje e përshtatshme, para se të avancojmë në lëvizje të mëtejshme”, tha zëdhënësi Gennimatas.

Ai shtoi se Athina faktikisht po diskuton me palën franceze, që çështja e hapjes së negociatave të shtrohet sërish sa më shpejt.

I pyetur për marrëveshjen e Prespës, zëdhënësi tha se barra më e madhe e zbatimit të saj “gjendet te pala tjetër, te Shkupi. Ne kemi lëvizur me shpejtësi për të zbatuar aq sa na takon”.

Sa i përket kushteve për minoritetin që Athina shtron ndaj Tiranës, zëdhënësi tha se ato nuk janë asgjë më shumë se sa zbatimi i rekomandimeve që kanë bërë organizmat ndërkombëtarë dhe që pala greke “do të vazhdojë t’i shtrojë sistematikisht”. /Robert Goro, Athinë/

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia