close
BotaTop Lajme

GUTERESH – MUNGON BASHKËPUNIMI GLOBAL KUNDËR VIRUSIT 

Guteresh-Katovice

SEKRETARI I PËRGJITHSHËM I KOMBEVE TË BASHKUARA KËRKON PËRGJIGJE PËR PANDEMINË TË UDHËHEQUR NGA VENDET E PASURA 


Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guteresh kërkoi nga liderët e G-20-ës, ekonomitë më të pasura në botë, t’i harmonizojnë masat kundër virusit korona që ta fitojnë betejën. Për momentin nuk shoh bashkëpunim, thekson ai, duke paralajmëruar për pasoja të mëdha në ekonominë botërore dhe shoqëritë. Në qoftë se nuk parandalohet përhapja në Afrikë dhe në qendrat e emigrantëve, do të ketë miliona të sëmurë dhe të vdekur, thotë njeriu i parë i organizatës botërore.
Disa vende treguan se lufta kundër virusit korona mund të fitohet, por për sukses të plotë është e nevojshme strategji e qartë për të shtypur infeksionin.  Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara ua tha këtë liderëve të Grupit të 20 vendeve më të zhvilluara në botë.
“Strategji që duhet të pranohet nga të gjitha vendet në koordinim me rekomandimet e OBSH-së. Ajo që e shohim deri tani janë masa plotësisht të ndryshme në vende të ndryshme, madje edhe në një vend rajone të caktuara veprojnë ndryshe. Virusi është i rrezikshëm dhe nuk është e lehtë të kontrollohet. Kemi nevojë për aksion të orkestruar nga të gjithë lojtarët.”-tha Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guteresh.
Pa koordinim të këtillë, virusi qarkullon të tërë botën dhe tani i kërcënohet Afrikës.
“Afrika është kontinent me kapacitet shumë të ulët për t’u përgjigjur. Edhe unë jam shumë i shqetësuar se në situatë të këtillë mund të kemi miliona të sëmurë dhe miliona raste të vdekjes, që është tragjedi që duhet të shmanget.” –deklaroi Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guteresh.
Pa bashkëpunim të ngushtë në mes vendeve në botë, do të ketë pasoja të mëdha në ekonominë botërore dhe shoqëritë, shton Guteresh duke kërkuar nga vendet e pasura që ta ndihmojnë botën e varfër, pa burokraci dhe vendosje të kushteve. Kombet e Bashkuara në këtë moment bëjnë përpjekje që virusi korona të mos përhapet në qendrat e emigrantëve dhe personave të shpërngulur në botë, ku për momentin janë të vendosur miliona njerëz si pasojë e konflikteve në më shumë rajone. /Biljana Georgievska/
Klan Macedonia

The author Klan Macedonia