PROKURORI I POSAÇËM ARGUMENTON KËTË ME ÇËSHTJE SIGURIE
Gjykata Speciale në Hagë ka refuzuar kërkesët e avokatëve për lirimin me kusht të ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi të cilët akuzohen për krime lufte që pretendohet se janë kryer gjatë dhe pas luftës në Kosovë.
Gjykatësi i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Hagës, Nicolas Guillou, ka bërë të ditur refuzimin e kërkesës për lirim me kusht të ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit. Agjencitë e lajmeve duke iu referuar parashtresave të kryeprokurorit special, Jack Smith, thonë se pretendohet se ekziston rreziku që ish-pjesëtarët e UÇK-së të arratisen, të ndikojnë në dëshmitarë ose ta kryejnë ndonjë krim. Rrjedhimisht ish-krerët e UÇK-së që nga fillimi i nëntorit ndodhen në paraburgimin e Hagës, me akuzën për krime lufte që pretendohen se janë kryerë në Kosovë gjatë luftës dhe menjëherë pas përfundimit të sajë. Këto pretendime përmenden edhe në një raport të debatueshëm për palën shqiptare të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty. Gjyqi ndaj tyre pritet të jetë i gjatë dhe mund të zgjasë edhe me vite. /Klan Macedonia/