close
Top LajmeVendi

HAPET REGJISTRI PËR PRONARËT E VËRTETË TË KOMPANIVE

BBF96350-0ABB-4B4E-BE92-6CF4A08B38BB

KOMPANITË KANË AFAT 90 DITË TË REGJISTROHEN


Në afat prej 90 ditësh pronarët e kompanive do të duhet të japin të dhëna të sakta dhe të detajuara për vete dhe për bizneset e tyre në Regjistrin e posaçëm të pronarëve të vërtetë, që prej sot fillon të funksionojë si pjesë e Regjistrit Qendror të shtetit. Kjo është vegël e re që në vend duhet të ndihmojë në luftën kundër larjes së parave dhe financimit të terrorizmit. Ata që edhe më tej do të fshihen pas emrave të tjerë, rrezikojnë bllokim të transaksioneve financiare, thonë kompetentët.

Në qoftë se deri tani në Regjistrin qendror mund të lexoheshin emra të familjarëve dhe miqve të pronarëve të vërtetë të kompanive të caktuara, në Regjistrin e ri të pronarëve të vërtetë kjo nuk do të jetë e mundur. Të paktën kështu premtojnë nga institucionet kompetente, për veglën e re për luftë globale kundër krimit financiar, e harmonizuar me ligjdhënien e Bashkimit Evropian.

MARIJA BOSHKOVSKA JANKOVSKI, DREJTORE E REGJISTRIT QENDROR

“Të dhënat nga ky regjistër do të hapin pasqyrë plotësisht të re për strukturën e ekonomisë maqedonase, posaçërisht në kontekst të luftës kundër larjes së parave dhe financimit të terrorizmit.”

Kompanitë kanë afat prej 90 ditësh që në sistemin e ri elektronik, pa pagesë t’i regjistrojnë të dhënat e sakta, më pas për çdo ndryshim të strukturës së pronësisë të njoftojnë më së voni pas 8 ditëve. Mbështetja elektronike në këtë sistem është siguruar me ndihmë gjermane dhe norvegjeze.

OTO GRAF, ZV/AMBASADOR I GJERMANISË

“Jemi krenarë ta fillojmë funksionimin e Regjistrit kombëtar në vend përmes Fondit Global dhe GIZ, që i mbështet autoritetet në vendet e Ballkanit perëndimor në luftën kundër krimit, parandalimin e  të drejtave dhe pronave të përfituara në mënyrë jolegale dhe parandalimin e aktiviteteve jolegale.”

Sipas drejtorit të Drejtorisë për kundërzbulim financiar këtë vit pritet zgjidhje juridike e disa hetimeve të lidhura me krimin financiar.

BLAZHO TRENDAFILOV, DREJTORIA PËR PUNË FINANCIARE

“Deri në fund të vitit presim për më shumë lëndë që i kanë qenë në udhëheqjen e PSP-së, të lidhura me larjen e parave, edhe në Prokurorinë për krim të organizuar për momentin vazhdojnë lëndët në të cilat ka shuma që janë në vlera milionëshe dhe mendojmë se deri në fund të këtij viti do të kemi, për këto lëndë janë ngritur edhe padi penale, ndërsa disa prej tyre do të jenë me vendime të gjykatës.”

Për vite me rradhë një pjesë e opinionit në vend beson se me presion politik ose të një lloji tjetër, njerëz të afërt me autoritetet arrijnë pjesë të madhe pronësie në kompanitë e suksesshme, por zbardhja e pohimeve zakonisht ka mbetur e ngatërruar në rrjetin e personave juridikë, të regjistruar në vend ose jashtë tij. /KlanMacedonia

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia