close
Top LajmeVendi

HELSINKI: DY DELEGACIONE TË VMRO-së NË KONGRESIN E PPE-së

vmro-ppe-kongres_1541605189-3395831

Ftesë edhe për anëtarët e shkarkuar të opozitës


Në Kongresin e Partisë Popullore Evropiane në Helsinki, organizatorët kanë ftuar dy delegacione nga VMRO-DPMNE-ja. Përpos udhëheqësisë së lartë aktuale partiake, ftesë kanë marrë edhe reformistët, por edhe anëtarët të cilët kohë më parë u shkarkuan me urdhër të kreut të VMRO-DPMNE-së.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski në margjinat e Kongresit të PPE-së ka realizuar një takim me Komisionerin e BE-së Johanes Han, pas të cilit Han në Tuitter publikoi një mesazh interesant.” “Isha shumë i qartë se ratifikimi i Marrëveshjes së Prespës duhet të finalizohet shpejt dhe pa asnjë pengesë. Përshëndeta angazhimin e tij që të mos bëjë obstruksione ndaj procesit në Kuvend. Integrimeve në BE i nevojitet një opozitë konstruktive”– ka shkruar komisioneri Han në Tuitter.

Por komunikata e VMRO-DPMNE-së nuk i përmban këto detaje të reja pas takimit Mickovski-Han. Nga opozita kanë njoftuar se prioritet i VMRO-së është anëtarësimi i Maqedonisë në BE dhe se në këtë drejtim partia do të jep kontribut të rëndësishëm, kurse siç thuhet, Mickovski ka informuar Hanin për përndjekjet politike dhe keqpërdorimet e drejtësisë kundër VMRO-së.

Dje, ish-eurodeputetja gjermane dhe njohësja e mirë e situatave në Ballkan, Doris Pak, në Tuitter ka publikuar një mesazh ku mund të kuptohet se biseda me Mickovskin nuk ka qenë e këndshme.

”Është e papranueshme tetë deputetët e VMRO-DPMNE-së që votuan pro Marrëveshjes me Greqinë dhe ardhmërinë evropiane të vendit të trajtohen si kriminelë. PPE-ja këtë nuk guxon ta tolerojë”.

 Mesazhi i saj ishte publikuar gjatë kohës kur para shtëpisë së deputetit Kërsto Mukovski zhvillohej një tubim proteste në organizim të lëvizjes “Maqedonia bllokon” ku tubime të këtilla paralajmëroi edhe para shtëpive të deputetëve tjerë që votuan “për”.

Në Kongresin e Partisë Popullore Evropiane përpos Kryetarit Hristijan Mickovski dhe delegacionit të lartë nga VMRO-DPMNE-ja, për herë të parë është ftuar edhe delegacioni i dytë partiak – të ashtuquajturit iniciativa për reforma të brendshme. Ftesë kanë marrë edhe nënkryetari i shkarkuar partiak Mitko Jançev dhe ish-Ministri i Shëndetësisë Nikola Todorov. Komisioneri Han duke publikuar një fotografi me tre politikanët ka shkruar në Tuitter se “kërcënimet ndaj tyre duhet të ndalen dhe se të gjithë partitë duhet të punojnë në agjendën evropiane”.

Prania e funksionarëve të përjashtuar të VMRO-DPMNE-së në Kongresin e Helsinkit është komentuar si një mesazh i qartë se politikat dhe veprimet e opozitës po ndiqen me kujdes nga PPE-ja dhe se janë shfaqur shqetësime për zhvillimet aktuale në opozitën maqedonase. /Klan Maqedoni/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia