close
Rajoni

HILL MBËSHTET NISMËN RAJONALE TË ‘BALLKANIT TË HAPUR’

hill-1.jpg

Ambasadori i ri amerikan në Serbi kërkon të nxitet politika e investimeve dhe tregut të përbashkët

Christopher Hill, i emëruari i Presidentit Biden për postin e ambasadorit të ri amerikan në Serbi konfirmoi sërish mbështetjen për bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Perëndimor në kuadër të nismës ‘Ballkani i Hapur’. Ashtu si ndihmës sekretari i shtetit, Escobar, tha se në këtë nismë duhet të bëjnë pjesë të gjitha shtetet e rajonit.

“Siç ka deklaruar edhe Presidenti Biden, Shtetet e Bashkuara besojnë se njohja e ndërsjellë me Kosovën është mënyra më e mirë për të forcuar stabilitetin dhe bashkëpunimin ekonomik rajonal në nisma si ‘Ballkani i Hapur’ ku duhet të jenë së bashku të gjitha shtetet e rajonit. Serbia duhet të normalizojë marrëdhëniet e saj me Kosovën, si parakusht për anëtarësimin e saj në Bashkimin Europian”.

Hill iu drejtua shteteve të Ballkanit Perëndimor duke i ftuar ato që të zgjidhin sa më shpejt të jetë e mundur mosmarrëveshjet me fqinjët pasi BE nuk ka ndërmend të anëtarësojë shtete që nuk iu japin zgjidhje problemeve dy palëshe.

“Unë do të punoj për të gjallëruar të ardhmen ekonomike të Serbisë dhe rajonit duke inkurajuar politika të tilla që forcojnë klimën e investimeve, infrastrukturën dhe sigurinë energjetike. Ne jemi të përkushtuar për promovimin e bashkëpunimit ekonomik dhe trajtimin e sfidave globale dhe rajonale”.

Hill tha se SHBA do të bëjë gjithçka për të mënjanuar ndikimet keqdashëse nga Rusia dhe Kina në këtë rajon. Ambasadori Hill ishte përfaqësuesi i parë diplomatik i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, pas 45 vjetësh izolimi. Në vitet ’90, Hill ishte anëtar i ekipit negociues që hartoi marrëveshjen e Daytonit në vitin 1995, e cila i dha fund luftës në Bosnjë.

Klan News

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia