Një tren doli nga shinat pasi goditi një furgon në jug të Hungarisë sot herët, duke lënë disa të vdekur dhe të plagosur.
Aksidenti ka ndodhur pak para orës 7 të mëngjesit të sotëm në qytetin Mindszent. Policia tha se një furgon ndodhej mbi shinat e trenit kur u përplas nga një tren, i cili doli nga shinat nga forca e përplasjes.
Në një deklaratë, Hekurudhat shtetërore hungareze bënë të ditur se të gjithë viktimat ishin nga furgoni, duke shtuar se 22 persona ndodheshin në tren në momentin e përplasjes. Dy persona u plagosën rëndë dhe 8 të tjerë pësuan lëndime të lehta.
Sipas raporteve të pakonfirmuara nga faqja lokale e lajmeve “delmagyar.hu” 7 persona kanë humbur jetën.
Policia e qarkut Csongrad-Csanad tha se kishte mbyllur të gjithë rrugën gjatë inspektimit dhe shpëtimit në vend. Trafiku u devijua në rrugët përreth./AA