close
Top LajmeVendi

Ilire Dauti nga ASH-ja i përgjigjet Talat Xhaferit (VIDEO)

Ilire Dauti i

Shefja e grupit parlamentar të Aleancës për Shqiptarët, Ilire Dauti, a ka quajtur skandaloze paraqitjen e djeshme para mediave të kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferi. Ajo tha se Xhaferi, duke tentuar t’i përgjigjet deputetit të ASH-së Halil Snopçe dje, “vetëm se deklaroi disa arsyetime boshe dhe konfirmoi se ka bërë obstruksion duke e anuluar mbledhjen e Komisionit Anketues për të drejtat dhe liritë e njeriut”.

Më poshtë mund ta lexoni të plotë reagimin e Ilire Dautit.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, duke tentuar t’i përgjigjet kolegut Halil Snopçe dje, vetëm se deklaroi disa arsyetime boshe dhe konfirmoi se ka bërë obstruksion duke e anuluar mbledhjen e Komisionit Anketues për të drejtat dhe liritë e njeriut. Përveç kësaj, Xhaferi shpalosi edhe diçka tjetër, një shpifje se kryetari i komisionit, Halil Snopçe, e paska akuzuar atë se mbron dikë. Theksojmë se, kolegu Snopçe nuk tha një gjë të tillë dhe ju ftoj ta ndiqni mirë konferencën e tij. Një thënie popullore thotë “mos e vet se t’kallxon vetë”. Pasiqë Xhaferi me gojën e vetë hapi një temë të tillë, vlerësojmë se opinioni e veçanërisht familjarët meritojnë ta dinë të vërtetën se kë po fsheh dhe mbron Talat Xhaferi në tragjeditë e fundit ku humbën jetën dhjetëra qytetarë të pafajshëm.

Të ndalemi pak tek arsyetimet e Xhaferit.

Paramendoni, kërkon procedurë 5 ditë para njeriu që thërret seanca sot për sot.
E pyesim kryeparlamentarin, përse sipas procedurës nuk i janë përgjigjur as ai dhe as sekretari gjeneral kërkesës me shkrim të kryetarit të Komisionit Anketues? Pasi ai ka vendosur të injorojë kryetarin e Komisionit dhe pasi kryetari ka qenë në pamundësi komunikimi, tek pastaj ka pasuar caktimi i mbledhjes nga ana e kolegut Halil Snopçe.
Xhaferi dje tha edhe diçka qesharake, se gjoja nuk lejon që Kuvendi të shndërrohet në pazar politik. I gjithë opinioni e di mirë se sa herë, pikërisht Talat Xhaferi e ka shndërruar këtë institucion jo vetëm në pazar, por edhe në mejhane politike.

Duam të rikujtojmë Xhaferin dhe tërë opinionin se gjatë gjithë historisë së Kuvendit, për herë të parë dhe pikërisht në Komisionin Anketues ndodh që kryetari i Kuvendit të anulojë mbledhjen. Ai poashtu tha se ka shkelje të Kushtetutës, por nuk e dëgjuam se çfarë konkretisht kemi shkelur.

Kulmi i konferencës së djeshme skandaloze të Talat Xhaferit ishte kërcënimi i tij i drejtpërdrejtë ndaj Muhaedin Belës se mund të humb vendin e punës në armatë, vetëm se kërkon një të drejtë të tij dhe të shfrytëzon një mekanizëm parlamentar që ky ia mohon.
Vet kërcënimi që ju i bëni zotit Bela flet për vërtetësinë e shkeljes që i bëni lirive dhe të drejtave individuale të këtij qytetari, ashtu siç ju bëni edhe qindra e mijëra qytetarëve të tjerë.

Mjaft më me arsyetime banale se opozita politizon rastet dhe me kërcënime ndaj qytetarëve!

Opozita dhe qytetarët kërkojnë drejtësi dhe të vërtetën. Politizimi i institucioneve nga ana juaj tanimë ka sjellë shumë padrejtësi, dhjetëra e qindra viktima, amnisti dhe fshehje e falje për kriminelët.

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia