close
Top LajmeVendi

ITALIA ME MBËSHTETJE PËR NEGOCIATAT ADERUESE

Di Majo: Nuk mund ta garantojmë shpejtësinë e vendimit të BE-së


Ministri italian i Punëve të Jashtme shprehu mbështetje të hapur nga Roma zyrtare për fillimin e negociatave aderuese të Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Ai megjithatë theksoi se nuk mund ta garantojë shpejtësinë e marrjes së vendimit në Bruksel, ku dëgjohet zëri i të gjitha 27 vendeve anëtare. Metodologjia e re e negociatave, sipas ministrit Nikola Dimitrov, mundëson ecjen përpara të procesit në tërësi, por edhe ai mbeti i rezervuar rreth çështjes – kur do të merret vendimi.

Pasi nxorën mësim nga dy vitet e kaluara, kur Qeveria në Shkup disa herë paralajmëroi “datë për fillimin e negociatave aderuese me BE-në”, ndërsa gjithçka përfundoi me bllokadën franceze tetorin e kaluar, shefi i diplomacisë Nikola Dimitrov shpreson, por se “duhet t’i fryhet edhe kosit”.

“Pas përvojave të deritanishme, në qershor të vitit 2018, në tetor të vitit 2019, do të ishte tepër e guximshme të kemi diagnozë të saktë. Duhet, siç thotë populli, ‘t’i fryjmë edhe kosit’. Elementet për sukses të përbashkët janë këtu, siç duket metodologjia ka mundësuar sinjale pozitive, procesi në tërësi të ecë përpara. Pason raporti nga Komisioni për të dyja dosjet, edhe për atë të Maqedonisë së Veriut, edhe të Shqipërisë, mendoj se do të jetë gabim i madh strategjik nëse nuk e kapim këtë shans edhe ne në rajon edhe në vetë BE-në.” –tha nikola Dimitrov, ministër i Punëve të Jashtme.

Italia e mbështet plotësimin e ambicieve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në kohë kur vendet tjera anëtare dalin nga BE-ja, por edhe ministri Luixhi Di Majo, i cili sot qëndroi në Shkup nuk mundi të saktësojë kur do të ndodhë kjo.

“Ta garantojmë shpejtësinë me të cilën BE-ja do të lëvizë është çështje shumë ambicioze, ne jemi 27 shtete, të gjitha duhet të vendosin. Angazhimi ynë është që kjo të ndodhë sa më shpejt. Do të thotë edhe për metodologjinë e re edhe për hapjen e negociatave. Nëse metodologjia është e vjetër ose e re, pika kyçe është se nuk guxon të ngadalësohet hapja e negociatave, këtu bëhet fjalë vetëm për vullnet politik.” –vlerëson Luixhi di Majo, ministër i Punëve të Jashtme i Italisë.

Ministri italian sonte do të qëndrojë në Paris, ku siç tha, në bisedë me shefin e diplomacisë franceze Zhan Iv Le Drian, do të theksojë se është e rëndësishme të fillojnë negociata me Maqedoninë e Veriut, që t’u tregohet vendeve të tjera të rajonit se janë të nevojshme shumë reforma për përparim drejt BE-së. Di Majo në turneun e tij evropian në mes tjerash bisedoi edhe për bashkëpunim të mundshëm tregtar dhe ndihmë të kompanive që janë prekur nga dëmi ekonomik që shkaktoi koronavirusi që e bllokoi industrinë në Kinë. /Biljana Georgievska/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia