close
RajoniTop Lajme

IVAN PROTIQ: KOMPROMISI – URË MES KOSOVËS E SERBISË

C4004210-30E3-4B02-A011-2CF26617E7F4

Në prag të takimit të nivelit të lartë në Bruksel, ndërmjet Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, analisti i njohur serb Ivan Protiq, thotë se nga ai nuk duhet prtur kushedi çfarë rezultati sa I përket arritjes së ndonjë marrëveshjeje të qëndrueshme  për normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe. Duke folur për TV Klan Maqedoni nga Beogradi, Protiq tha se në procesin e dialogut presioni amerikan ka për të qenë vendimtar.

Intervistoi: Seladin XHEZAIRI

–         Zoti Protiq, në takimin e kryeministrave të rajonit në Tiranë, patëm tensione mes kryeministres serbe dhe kryeministrit të Kosovës. Si e shikoni vazhdimin e paralajmëruar të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës zyrtare?

–         Ky dialog po zvarritet një kohë të gjatë. Problem në këtë dialog është se secila palë i përmbahet vetëm një opsioni: Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, Kosova kërkon njohjen e ndërsjellë dhe njohje ndërkombëtare. Të dyja palët flasin për një lloj krompromisi, por për shkak të pozicioneve të këtilla, kompromisi është i pamundur. Ajo që ndërkohë nuk po ndodhë, por që mund të lehtësonte dialogun është që të zgjidhen disa çështje konkrete, nga të cilat veçoj dy: Njëra është – puna serioze për identifikimin dhe përcaktimin e numrit të njerëzve të zhdukur dhe të vrarë gjatë konflikteve të zhvilluara në Kosovë, gjë që të dyja palët, në njëfarë mënyre po e bëjnë me shumë ngathtësi dhe, çështja tjetër serioze është mbrojtja efikase, vepruese dhe e dukshme në terren, e pakicës serbe dhe pakicave të tjera në Kosovë që formalisht është e proklamuar, por që nuk po zbatohet. Këto dy çështje do të lehtësonin bisedimet dhe mbase do të mund tëçonin drejt një kompromisi që është urë ndërmjet pozicioneve të Beogradit zyrtar dhe Prishtinës zyrtare.

–         Nga pozicioni i Beogradit zyrtar, cili do të ishte ky kompromis duke marrë parasysh se, nëse nuk e kam gabim, presidenti serb, zoti Vuçiq, disa herë ka folur pikërisht për kompromis, duke thënë se ‘nuk mund ata të marrin gjithçka, kurse serbët asgjë’?

–         Kompromisi do të lehtësohej, sikurse thash, nëse të dyja palët do të mbanin llogari për njerëzit e jo për terrionin dhe shtetin. Ky është ves i Ballkanit – që të gjitha kombet dhe shtetet e Ballkanit kujtojnë se të gjitha problemet e veta do të mund t’i zgjidhin nëpërmjet formimit të shtetit të tyre. Problemi qëndron se kur të krijohet shteti, pavarësisht çfarë ka për të qenë, atëherë edhe lindin problemet. Them: sikur të fillojë sinqerisht, seriozisht dhe relativisht shpejt rregullimi i këtyre çështjeve, sikurse është problemi i të zhdukurve, pastaj mbrojtja e pakicave dhe e thesarit kulturor serb në Kosovë për çka kohët e fundit kemi pasur deklarata goxha të çuditshme, si nga njëra ashtu edhe pala tjetër, para së gjithash nga ana e zotit Kurti, atëherë mbase edhe mund të bëhej diçka. Më duket se tash për tash e vetmja zgjidhje e dukshme, pa marrë parasysh ato fjalët për ndryshim kufijsh, sepse kjo hap probleme të reja: Sapo u përmend ndryshimi i kufijve, doli Lugina e Preshevës me kërkesën që t’i bashkangjitet Kosovës. Mendoj se zgjidhja do të ishte që këto punë të zgjidhen, që të bëhet më e lehtë jeta e ndërsjellë dhe që ngdalë t’i afrohemi Bashkimit Evropian ku kufijtë nuk janë shumë të rëndësishëm. Atje mund të bëhet diçka. Nuk kam ndonjë ide për kompromis konkret, sepse kjo është çështje që sjell shumë para, është çështje prej njëmilion dollarësh!

–         Ndërkohë, nga pala serbe, fjala vjen, ministri i Brendshëm, Aleksandar Vulin, nëse nuk gaboj, flet për të ashtuquajturën ‘botë serbe’!

–          Zoti Vulin është dalluar me shumë deklarata që nuk përkojnë me postin ku ndodhet. Ideja për ‘botën serbe’ mund të ekzistojë sikundër që ekziston, fjala vjen, ideja frankofone për tubimin e njerëzve të cilët flasin frengjisht, pa kurrfarë pretendimesh, si të them, kolonialiste. Është e logjikshme që çdo shtet përkujdeset për minoritetin e vet në shtetin tjetër dhe kjo do të duhej të ishte normale. Mirëpo, nëse në Ballkan dikur mbretëronte bindja se pakicat janë urë e bashkëpunimit dhe bashkimit, sot pakicat trajtohen pak a shumë si ‘kundërshtarë, tradhëtarë e spiunë potencial në radhët tona’. Kjo krijon situatën çfarë e kemi, fjala vjen, me serbët në Kroaci, mund të marrim dhe shembuj të tjerë – me shqiptarët në Serbi. Kujtoj se qëndrimi ndaj pakicave është një ndër çështjet kryesore që duhet të shtrohet mbi baza të shëndosha, konform përvojave evropiane e botërore, dhe atëherë ideja për ‘botën serbe’ si hapësirë kulturore nuk do të ngërthente konotacione politike që shkojnë deri atje sa të mendohet edhe për ndryshim kufijsh.

–         Javëve dhe muajve të kaluar kemi pasur disa të ashtuquajtura ‘non paper’-a. Këto ditë në skenë doli dhe presidenti amerikan me Dekretin e tij për rajonin. A prisni ndonjë angazhim më të madh të Uashingtonit për arritjen e një marrëveshjeje të pranueshme nga të dyja palët, Prishtina dhe Beogradi?

–         Bashkimi Evropian ngeci, kur zonja Eshton përfundoi mandatin e vet. Ashiqare, nuk pati forcë, kohë dhe energji të mjaftueshme për këtë çështje, por u mor me çështje të tjera, si Brex-iti dhe punë të tjera. Amerikanët, le të them butë, pas sjelljes së çuditshme të ish-presidentit Donald Trump, fituan një president që mbanë pak më tepër llogari për atë që ndodhë jashtë vendit. Amerikanët, fundja janë izolacionistë të mëdhenj, kjo dihet që nga Lufta e Parë Botërore dhe nuk ju intereson shumë ajo që ndodhë përtej vendit të tyre, por ata futën në axhendë edhe Ballkanin, krahas Lindjes së Mesme. Me siguri, presioni amerikan ka për të qenë vendimtar për gjetjen e ndonjë zgjidhjeje. Çfarë zgjidhje kanë amerikanët në kokë, unë nuk e di, pavarësisht fjalëve të tyre për njohjen e ndërsjellë, natyrisht pa kushte, për shkak se askush që gjykon seriozisht për Ballkanin, për shembull Departamenti i Shtetit nuk mund të anashkalojë pozionet, por është fakt se roli amerikan ka për të qenë gjithnjë e më i madh, ndaj amerikanët do të bëjnë presion deri në një kufi të caktuar, por nuk jam i sigurt, për shkak se një presion më i madh, me siguri do të kishte për efekt një kundër-reagim të njërës, tjetrës ose të të dyja palëve. Pavarësisht kësaj, se roli i Uashingtonit po bëhet gjithnjë e më i madh – kjo është evidente, por se çfarë hapash do të ndërmarrin gjatë periudhës së ardhshme, këtë nuk jam në gjendje ta them. Druaj se ato do të diktohen para së gjithash nga interesat e Amerikës, për shkak se në marrëdhëniet ndërkombëtare, sikurse e dimë, nuk ka dashuri, ka vetëm interesa.

–         Këtë javë do të mbahet takimi i parë ndërmjet presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministrit kosovar Albin Kurti. Cilat janë parashikimet tuaja, si ka për të kaluar ky takim?

–         Mendoj se ky do të jet takim njohës, i matjes së pulsit. Nuk besoj se ndonjëra nga palët do të jetë e gatshme të zbusë pak qëndrimet e veta. E dini, nga pala serbe ekziston objektivisht një problem: Është shumë vështirë të pranohet heqja dorë nga një pjesë të cilën pala serbe e konsideron territor të saj. Po ua rikujtoj shembullin e ishujve Foklend kur Britania dërgoi një mori anijesh e njerëzish për të shpëtuar disa mijra dhenë. Këtë pilulë të hidhur, me siguri, në njëfarë mënyre, pak më butë, do të detyrohet ta gëlltisë edhe pala serbe, por ajo çfarë pala kosovare e harron është se edhe ajo do të duhet, si të them, të manifestojë më shumë njohjen e realitetit. Fjala vjen, rrëfimet për gjykimin në Hagë të pjesëtarëve të UÇK-së më duket se po ndeshen me një narracion që është shumë i ngjashëm me atë serb, kroat, boshnjak dhe të tjerë, e ky është se ‘ne vetëm jemi mbrojtur, se ai që mbrohet nuk mund të kryerjë krime lufte’, që nuk është e vërtetë. Kjo është damkë e gjithë Ballkanit dhe përderisa nuk çlirohemi nga kjo, domethënë që secila palë të pranojë se nuk ka qenë ‘ëngjëll, as ëngjël e as djall, por ajo që është ndërmjet’, kujtoj se s’ka për të pasur lëvizje përpara. Edhe njëra, edhe pala tjetër, shpërfillin atë që është më e rëndësishme: mirëqenien e popullatës. Ato merren me politikë, nuk merren me mirëqenien e popullsisë së tyre, me rritjen e standardit, kushtet më të mira të jetesës, ndërprerjen e shpërnguljeve që është e lartë edhe në Serbi edhe në Kosovë. Pra, të gjitha këto janë lënë anash, ndaj mendoj se takimi ka për të qenë në shenjë të matjes së pulsit politik, të shtrirjes së dorës, dhe nga ai nuk do të kemi asgjë të re, ose asnjë të re më shumë, përveç caktimit të takimit të radhës, përderisa amerikanët, para së gjithash, e pastaj edhe evropianët, nuk thonë ‘mjaft, këtë duhet zgjidhur’! Kujtoj se kjo nuk është afër, sepse duhet gjetur modusin, duhet përgatitur terrenin, duhet përgatitur si njërën ashtu edhe palën tjetër, se nuk kanë për të fituar gjithë atë që e kërkojnë.Duhet prezantur diçka, duhet gjetur një lloj kompromisi që do të zbuste dhembjen, si të njërës, ashtu edhe të palës tjetër. Kur të gjendjet ky kompromis, atëherë pason procesi i gjatë i përgatitjes së popullatës për pranimin e të njëjtit, po flas si për njërën, ashtu edhe palën tjetër.  /KlanMacedonia

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia