close
Të ndryshme

KALESKA: NUK KAM HASUR NË ANKESA NGA BULLGARËT NË RMV

kaleska

Në dy mandate deputeti, avokatja Snezhana Kaleska, anëtare e LSDM-së, pohon se në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut nuk ka arritur asnjë ankesë ose denoncim nga ndonjë individ ose organizatë për shkeljen e të drejtave të qytetarëve që deklarohen si bullgarë në vend. Kërkesa nga Presidenti bullgar Rumen Radev që regjistrimi në Maqedoninë e Veriut të tregojë aq bullgarë sa Sofja ka lëshuar pasaporta për qytetarët tanë, Kaleska thotë se është e nxitur para zgjedhjeve, përkatësisht përzierje në punët e brendshme të një vendi tjetër.

 

Pohimet e vazhdueshme nga pala bullgare se në vend shkilen të drejtat e personave që deklarohen si bullgarë dhe në listën e kushteve për zhbllokim të rrugës evropiane të Maqedonisë së Veriut kërkohet edhe përfshirja e tyre në Kushtetutën e vendit, nga deputetja Snezhana Kaleska nga partia në pushtet LSDM, konsiderohen si plotësisht të pabaza.

SNEZHANA KALESKA, DEPUTETE, LSDM

“Kjo asnjëherë nuk ka ndodhur, as nuk ka pasur dukuri të tilla, të paktën jo në kuptimin që dikush të ketë denoncuar, ose të ankohet. As në përbërjen e kaluar parlamentare kur kam qenë deputete, as në këtë përbërje, në Kuvend nuk ka arritur asnjë ankesë ose denoncim nga qytetar individual që është deklaruar si bullgar, si shtetas bullgar, as nga shoqatat e qytetarëve, vendase ose ndërkombëtare. Diçka e tillë nuk ka arritur. Nuk ka arritur as te avokati i popullit, as te Komisioni për Parandalim të Diskriminimit. Ky shtet ka institucione. Ne si Kuvend i shohim të gjitha ato raporte.”

Përfshirja eventuale e bullgarëve etnikë në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, krahas bashkësive të tjera, sipas Kaleskës do të duhet të ndodhë në finalen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, kur llogarit edhe në mbështetjen e opozitës aktuale, e cila tani procesin e kushtëzon me masa reciproke edhe në Sofje.

SNEZHANA KALESKA, DEPUTETE, LSDM

“Unë perosnalisht nuk e shoh si problem në qoftë se ne kemi konsensus të përgjithshëm politik, ndërsa mendoj se duhet të kemi në raport me këtë çështje. Në qoftë se edhe të tjerët shprehin dëshirë dhe janë këtu, ata janë qytetarë të këtij shteti, të përfshihen në Kushtetutë. Këto vende gjithmonë kanë qenë me popuj të ndryshëm, janë përzier dhe situata asnjëherë nuk ka qenë bardhë e zi. Atëherë, sinqerisht shpresoj se edhe opozita pak më ndryshe do të mendojë në lidhje më këtë çështje, sepse edhe për partinë kryesore opozitare VMRO-DPMNE, edhe për të tjerët, nuk është kontestuese se ne jemi shoqëri multietnike.”

Kaleska e konsideron të papranueshme deklaratën e Presidentit Radev se pret që numri i bullgarëve të regjistruar në vend të përputhet me numrin e pasaportave të lëshuara në Sofje për qytetarët e Maqedonisë së Veriut. Sado që t’i kuptojë arsyet ekonomike për kërkimin e pasaportës që i hap dyert e Evropës, ajo thekson se është e vetëdijshme për shkeljen e ligjeve në procedurë.

SNEZHANA KALESKA, LSDM

“Gjithë opinioni e di se është ngritur hetim edhe në Republikën e Bullgarisë rreth mënyrës si janë dhënë ato nënshtetësi, përkatësisht pasaportat bullgare. Vetë Bullgaria është e vetëdijshme dhe e din, nëse dhe në çfarë mënyre ka lejuar që kjo të ndodhë, kjo është çështje krejtësisht tjetër. A u përshtatej në periudhë të caktuar të udhëheqin politikë të këtillë, por tani rezulton se këtë e shfrytëzojnë në nivel shumë më të lartë politik.”

Presidenti Rumen Radev këtyre ditëve e ka përmendur shifrën prej 120 mijë pasaporta të lëshuara bullgare për shtetas të Maqedonisë së Veriut, ndërsa dhjetë mijë kërkesa shtesë janë në procedurë. Një numër i madh i qytetarëve që kanë marrë pasaporta bullgare tashmë janë shpërngulur në vendet e Evropës Perëndimore./KlanMacedonia/

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia