close
Top LajmeVendi

KE: ANULIMI I NEGOCIATAVE NDIKON NEGATIVISHT PËR RMV-në

strasb

SHQETËSIME NË BRUKSEL PËR SHKAK TË INCIDENTEVE NË BALLKANIN PERËNDIMOR

Në raportin për Ballkanin Perëndimor të cilin Komisioni Evropian pritet ta publikojë sot pasdite vihet në dukje se bllokada e negociatave aderuese me Maqedoninë e Veriut e minon kredibilitetin e BE-së. Komisioneri për zgjerim Oliver Varhelji do të rekomandojë organizim sa më të shpejtë të konferencës ndërqeveritare Shkup-Bruksel. Në BE ka shqetësime në lidhje me incidentet në kufirin në mes Kosovës dhe Serbisë dhe në Mal të Zi.

Me 96% politikë të jashtme të harmonizuar me atë evropiane, Maqedonia e Veriut vazhdon t’i plotësojë kushtet për fillim të negociatave aderuese me BE-në, ndërsa autoritetet shfaqin angazhim të ecin në rrugën evropiane. Këto janë një pjesë e vlerësimeve për vendin në raportin më të ri të Komisionit Evropian, që sot pasdite me më shumë detaje do ta prezantojë Komisioneri për zgjerim Oliver Varhelji.

RAPORTI I KE (MIA)

“Vendi ka mbajtur ritëm të qëndrueshëm dhe vendimtar në përparimin e reformave të BE-së dhe i ka rritur përpjekjet e tij për dhënien e rezultateve të dukshme edhe më tej.”

Para deputetëve të Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian, Varhelji pritet të vlerësojë edhe ndikimin e bllokadës së procesit aderues për Maqedoninë e Veriut, i imponuar me listë të gjatë të kushteve nga Bullgaria fqinje.

 RAPORTI I KE-së (MIA)

“Në mars të vitit 2020 anëtarët e Këshillit Evropian njëzëri e miratuan vendimin për hapjen e negociatave për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut. Anulimi i fillimit zyrtar të negociatave ka pasoja negative në kredibilitetin e BE-së.”

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, pret që raporti t’i vërtetojë përpjekjet e Qeverisë në Shkup për tejkalimin e kontestit, në mes tjerash edhe për shkak të ruajtjes së kredibilitetit të BE-së në rajon.

BUJAR OSMANI, MINISTËR I PUNËVE TË JASHTME (Utrinski Brifing)

“Ne ecim në cepin e kredibilitetit të BE-së dhe nuk e dimë ku do të thehet dhe cili do të jetë ai moment. Ecim në një terren të rrezikshëm, ndërsa e dimë se pa kredibilitet evropian këtu në rajon, ai do të hyjë në ujëra shumë të trazuara, në pjesën e reformave dhe në pjesën e stabilitetit politik.”

Raporti, pjesë të së cilit i ka publikuar agjencia MIA, shton se kontesti  në mes Sofjes dhe Shkupit duhet të zgjidhet shpejt, të vazhdojë zbatimi i Marrëveshjes së Prespës dhe i Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, në pritje që deri në fund të vitit të organizohet konferenca e parë ndërqeveritare Shkup-Bruksel. Përndryshe, mediat rajonale shtojnë se incidentet e paradokohshme në Mal të Zi dhe në kufirin në mes Kosovës dhe Serbisë shkaktojnë shqetësime serioze në BE me vlerësimin se situata në Ballkanin Perëndimor përkeqësohet./KlanMacedonia/

 

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia