close
RajoniVendi

KE: NË FILLIM TË 2022 PREZANTOHET FINANCIMI I PLANIT EKONOMIK DHE TË INVESTIMEVE PËR BP

eu

Komisioni Europian përgatitet të prezantojë financimin e projekteve të planit ekonomik dhe të investimeve për Ballkanin Perëndimor në fillim të vitit 2022. Këtë e ka konfirmuar  Ana Pisonero-Hernandez, zëdhënësja e komisionerit për politikën e fqinjësisë dhe zgjerimit, Oliver Varhelyi. Plani ekonomik dhe i investimeve për Ballkanin Perëndimor mund të mobilizojë deri në 30 miliardë euro grante dhe kredi për projekte deri në vitin 2027. Kriteri i përzgjedhjes së financimit të projekteve ka të bëjë mbi të gjitha me pjekurinë e projekteve që janë prezantuar nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

ANA PISONERO, ZËDHËNËSE E KE-së

“Ne kemi marrë tashmë një grup të rëndësishëm projekt-propozimesh në përputhje me prioritetet e përcaktuara nga plani ekonomik dhe i investimeve për ekonomitë e Ballkanit Perëndimor. Projektet e transportit adresojnë të gjithë korridoret përkatëse në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Korridoret Vc (5C) në Bosnjë Hercegovinë, X dhe Xc (10 dhe 10c) në Serbi, koridorin VIII (8) në Maqedoninë e Veriut, rrugën 2 në Shqipëri dhe Mal të Zi dhe rrugën e 7 në Kosovë. Ne do të miratojmë projektet e para të investimeve të bashkëfinancuara nga Bashkimi Europian me financimin IPA III në fillim të vitit 2022. Eshtê pak herët për të folur lidhur me detajet e financimit, por ne po punojmë fort për tê zbatuar sa më shpejt planin ekonomik dhe të investimeve pêr Ballkanin Perëndimor”.

Plani ekonomik dhe i investimeve përfshin lidhjen e transportit në hekurudhë dhe rrugë, duke synuar ndêr tê tjera të lidhë të gjitha kryeqytetet e rajonit me njëri-tjetrin dhe me BE-në. Për Shqipërinë, projektet që konsiderohen të pjekura dhe pritet të përfundojnë ose të avancohen deri në 2024 janë segmenti i rrjetit hekurudhor prej 120 km Tiranë-Podgoricë me shtrirjen e portit të Durrësit, bypass i Tiranës dhe dy segmente të tjera rrugore. Ndërkohë ka dhe dy grupime të tjera projektesh, ato që duhet dhe mund të financohen. Projekti për krijimin e një sistemi rajonal të menaxhimit të mbetjeve në Shqipëri, Mal të Zi, Serbi dhe Maqedoni të Veriut synohet të realizohet përmes mbylljes së landfilleve që nuk respektojnë kriteret. Komisioni Europian vlerêson, se ky projekt ashtu si dhe projekti për infrastrukturën dixhitale në rajon duhet të financohen. Ndërkohë, projektete e rehabilitimit të hidrocentralit të Fierzës dhe Skavicës dhe ndërtimi i gazësjellësit Fier-Vlorë si pjesë e gazësjellësit Trans Adriatic paraqiten si projekte me opsionin “ mund të financohen” ./Erisa Zykaj – Tv Klan Bruksel/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia