close
KultureVendi

KËNGA DHE VALLJA ARBËRESHE NDËR SHEKUJ

it1

Muzika e pasur arbëreshe sot ishte në fokusin e studiuesve në kuadër të manifestimit tradicional kulturor – shkencor “Ditët e Alfabetit” në ITShKSh – Shkup.

Në fjalën e hapjes, udhëheqësi i Departamentit të Etnologjisë në ITShKSh, Rini Useini, tha se me anë të këngëve dhe valleve, nëpërmjet riteve dhe manifestimeve, nëpërmjet haresë së përditshme apo edhe të krijimeve të reja muzikore, arbëreshët e kanë ruajtur më së miri identitetin e tyre të veçantë. “Arbëreshët shquhen për kolektivizmin e tyre, ata bashkëfestojnë dhe bashkëjetojnë me muzikën e traditën, dhe janë koshientë që tradita e tyre është shumëshekullore dhe atë e ruajnë në formën më të mirë. Kudo që të shkosh në hapësirën ku ka arbëresh e shikon se muzika është pjesë e jetës së tyre të përditshme”, tha Useiuni.

Më tej studiuesit paraqitën kumtesat e tyre për larminë dhe madhështinë e këngës dhe valles arbëreshe. Studiuesi Sami Piraj, prezantoi kumtesën me temë: “Bartja e frymës së muzikës arbëreshe në arealin muzikor shqiptar”. Studiuesja nga Kosova, Rreze Kryeziu, përmes një video-prezantimi paraqiti temën: “Muzika arbëreshe përmes krijimtarisë së kompozitorit Shime Deshpali”, me rastin e 40 vjetorit te vdekjes se kompozitorit. Më tej, studiuesja dhe soprano Besiana Mehmedi, referoi në temën: “Roli i muzikës në ruajtjen e gjuhës dhe traditave tek arbëreshët”, dhe Ermal Mehmeti e Jeta Starova – Mehmeti u prezantuan me temën: “Kultivimi i këngës arbëreshe”, ndërsa me violinë dhe flaut interpretuan një melodi arbëreshe.

Në manifestimin “Ditët e Alfabetit -2021”, gjatë ditës së nesërme (e diel), prej ora 12.00 aktivitetet do të zhvendosen në Manastir, konkretisht në Muzeun e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, ku do të ketë disa referime. Ndërsa, ditën e hënë më 22 nëntor në ITShKSh në Shkup solemnisht do të shënohet 113-vjetori i Kongresit të Manastirit dhe 14-vjetori i ITShKSh.

Manifestimi mbështetet nga Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive./KlanMacedonia/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia