close
Screenshot_7

Sinadinovska: Ka rritje drastike të raportimeve


Ka një rritje drastike të numrit të politikanëve, institucioneve, ministrive dhe komunave që dorëzojnë ankesa për raportime joetike në media, deklaron Katerina Sinadinovska, kryetare e Këshillit të Etikës së Mediave të Maqedonisë (SEMM) për Radio Evropa e Lirë. Ajo thekson që gjatë fushatës zgjedhore numri i ankesave mund të rritet. Poashtu, në këtë intervistë Sinadinovska foli edhe për ndryshimet në ligjin për shërbimet mediatike, reformën e MRTV, lajmet e rreme etj.

Kryetarja e Këshillit të Etikës së Mediave të RMV-së, Katerina Sinadinovska, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, deklaron se ka një rritje drastike të ankesave për raportime joetike në media.

‘Qytetarët, gjë që na gëzon shumë, janë të parët që dorëzojnë ankesa te ne, ka rritje drastike të numrit të ankesave nga ana e politikanëve dhe institucioneve, ministrive, komunave dhe me këtë përfundon një nga misionet që institucionet dhe politikanët të drejtohen në Këshillin për etikë, në vend të gjykatës. Ne dëshirojmë t’i mbrojmë gazetarët, të mos ketë aq shumë raste gjyqësore kundër tyre, por tani ashtu siç do të intensifikohet fushata zgjedhore, e cila nëse gjykojmë sipas paralajmërimeve do të jetë vërtetë e ndyrë, pres që të ketë numër të rritur të ankesave dhe pres atmosferë të tensionuar që do ta përcjellë këtë trend.’ -tha Katerina Sinadinovska, kryetare e Këshillit të Mediave-RMV.

Fusha e internetit është më e diskutueshmja për raportime joetike,  jo vetëm në RMV, por siç sqaron Sinadinovska, Këshilli për Etikë, po mundohet që të gjejë mekanizmin e duhur për të qenë i balancuar.

‘Profesionalizmi dhe respektimi i standardeve etike në hapësirën e internetit është temë çdokund në botë dhe pikërisht për këtë arsye ne përpiqemi që të gjejmë mekanizëm që nga njëra anë ta mbrojmë lirinë e shprehjes dhe të mos ndërhyjmë me kontroll në hapësirën e internetit, sepse ky është rekomandim nga ana e BE-së dhe është karakteristikë për çdo shoqëri demokratike, ndërsa nga ana tjetër të kemi sukses në zbatimin e mekanizmit si ta kontrollojmë respektimin e standardeve, edhe atë regjistri në tërësi që e bëjmë për internet portalet profesionale është si një zgjidhje vin-vin me të cilën do të respektohen të dyja aspektet.’-deklaroi Katerina Sinadinovska, kryetare e Këshillit të Mediave-RMV.

Ndryshe, sipas statistikave të Këshillit për etikë në media, 80% e ankesave për raportim joetik kanë qenë në portale, ndërsa 15% në televizione. /Blerona Jakupi/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia