close
EkonomiVendi

KLAN DEBAT: SA (NUK) DIJMË PËR KRIPTOVALUTAT?!

cript

Ligji për kontrollin e sigurtë të punës me kriptovaluta është në fazë përfundimtare në Ministrinë e Financave, ndërsa pritet të miratohet në Kuvend gjatë muajit janar. Blerja e kripto mjeteve ose “gërmimi” me shpenzime personale nuk janë të ndaluara, por ajo në të cilën shteti dëshiron të ketë qasje është nëse gjatë transfereve bëhet pastrimi i parave dhe nëse eventualisht shfrytëzohen për financimin e terrorizmit. Në Klan Debat kemi biseduar me dy ekspertë për atë si funksionon bota e kriptovalutave dhe si të kontrollohet.

Miliona njerëz në botë, shumë edhe në Maqedoninë e Veriut, pa bërë zhurmë punojnë me kriptovaluta, duke tregtuar në bursat virtuale ose duke “gërmuar” me kompjuterët e tyre. Për pasqyrë më të qartë, e pyetëm profesorin e shkencave kompjuterike, Martin Mihajlov, mysafir në Klan Debat, çfarë janë kriptovalutat?

MARTIN MIHAJLOV, PROFESOR UNIVERISTAR

“Ideja e kriptovalutave, ose kripto mjeteve, është digjitalizimi i vlerës. Gjithçka që ka vlerë mund të prezantohet në botën digjitale. Kështu kriptovaluta mund të jetë version digjital i ndonjë valute me të cilën mund të tregtohet, por mund të jetë edhe aksion në kompani, dëshmi për posedimin e shtëpisë, art virtual. Gjithçka që mund të ketë vlerë, mund të prezantohet në mënyrë digjitale përmes kriptovalutës, madje edhe mbeturinat.”

“Gërmimi” krijon vlerë përmes harxhimit të rrymës elektrike, por është proces i përfitimit të ngadalshëm, thotë Mihajlov. Ndërsa tregtimi në bursë, me ndonjërën prej rreth 5 mijë kriptovalutave, mund të sjellë përfitime të mëdha, në qoftë se dikush është i gatshëm për rrezik të madh, njësoj si bixhozi.

MARTIN MIHAJLOV, PROFESOR UNIVERSITAR

“Duhet të njihet mirë e gjithë fusha që të mund të kapet projekt që ka të ardhme. Kush qëndron pas tij dhe nëse është mashtrim marketingu. Duhet ta dinë se mbi 90% e produkteve, posaçërisht valutat e reja që dalin janë pa vlerë.”

Në Ministrinë e Financave në fazë përfundimtare është Ligji për kontroll të sigurtë të biznesit me kriptovaluta, që presin të miratohet në janar, para së gjithash me qëllim që të parandalohet pastrimi i parave dhe keqpërdrorimi i tyre për terrorizëm, thekson Drejtori i Drejtorisë për Zbulim Financiar, Blazho Trendafilov.

BLAZHO TRENDAFILOV, DREJTOR I DREJTORISË PËR ZBULIM FINANCIAR

“Kriptolojtarët janë njerëz që do të duhej në bazë të inteligjencës së tyre të kenë përfitime të caktuara. Kjo nuk është e ndaluar. Ai përfitim, me rregullim të mëtejshëm do të tatimohet dhe do të jetë legal. Si shtet duhet ta rregullojmë tregtimin, këmbimin, pagesën dhe “gërmimin”.”

Trendafilov pranon se ky fenomen duhet të sqarohet më tej.

“Kriptomjetet janë mjete pas të cilave nuk ka vlerë tjetër përveç popullaritetit. Për momentin janë të njohura dhe shiten!”

Trendafilov thotë se për momentin nuk dihet sa persona në Maqedoninë e Veriut janë të përfshirë në kriptotregun. Ajo që dihet është së në dy vitet e  fundit janë bërë transfere për blerje të valutave, në mes një dhe tre milionë euro, që për momentin konsiderohet shumë e vogël.

 

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia