close
Top LajmeVendi

Klan Debat: Zgjedhje të parakohshme – opozita ”pro”, pozita ”kundër”

fweefwfwefew

OPOZITA VAZHDON “BLLOKIMIN AKTIV” TË KUVENDIT

Partitë opozitare janë për shpallje të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, pasi vlerësojnë se vendi po përballet me shumë kriza, me të cilat, sipas tyre, qeveria aktuale nuk ka kapacitet që të përballet. Deputeti i VMRO – DPMNE-së, Brane Petrushevski gjatë emisionit Klan debat, tha se zgjedhjet nuk i kërkon vetëm VMRO – DPMNE, por këtë e kërkojnë qytetarët, raporton KlanMacedoni.Kl

“VMRO – DPMNE nuk e bojkoton Kuvendin. VMRO – DPMNE bën bllokadë aktive të punës së Kuvendit brenda në Kuvend, duke përdorur të gjitha veglat e rregullores që i ka në dispozicion një parti opozitare. Këtë e bëjmë me një qëllim, jo konkretisht të shkojmë në zgjedhje. Por, të ulemi me partinë më të madhe në pushtet, LSDM-në dhe të flasim për disa tema, të gjejmë zgjidhje që janë në interes të qytetarëve dhe pastaj të bisedojmë për zgjedhje të parakohshme parlamentare sepse këtë nuk po e kërkon vetëm VMRO-ja por shumica e qytetarëve të Maqedonisë” – deklaroi Bane Petrushevski nga VMRO.

Edhe deputeti i Lëvizjes Besa, Fadil Zeneli tha se, edhe ky subjekt vlerëson që vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, pasi përpos krizave të brendshme ka edhe pengesa në eurointegrime.

“Nënkuptohet, ne si Lëvizje Besa disa herë e kemi potencuar qëndrimin tonë se jemi për zgjedhje të parakohshme, sepse me të vërtetë vendi kalon në periudha të vështira, me të cilat qeverisja aktuale nuk tregon kapacitetin e duhur që të ballafaqohet me problemet dhe sfidat, si në aspektin e brendshëm rreth problemeve ekonomike, sociale, arsimore, këtu ka pengesa edhe në integrimet evropiane”. -deklaroi Fadil Zendeli, deputet i Lëvizjes BESA.

Ndërkohë, partitë në pushtet vlerësojnë se, nuk është momenti i duhur për zgjedhje të parakohshme, pasi po kalojmë vite të vështira, fillimisht me pandeminë dhe më pas dhe luftën në Ukrainë, që kanë ndikuar në stabilitetin ekonomik.

“Ndodhemi në një situatë serioze ku duhet të veprojmë bashkërisht dhe në mënyrë konstruktive. Të gjitha shtetet në rajon dhe në Evropë, pozita dhe opozita veprojnë në mënyrë konstruktive dhe funksionale, ndërsa nga ana e VMRO – DPMNE-së kemi destruktivitet”. – deklaroi Daniela Markova, deputete e LSDM-së

“Në rrethana të këtilla, ende pa dalë nga kriza shëndetësore nga Covid – 19, ende jemi në krizë energjetike me përmasa globale, krizë ekonomike si pasojë e agresionit rus mbi Ukrainën, edhe ajo me përmasa globale, mendojmë se nuk është koha për ta futur vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare”. – deklaroi Vjollca Ademi, deputete e BDI-së.

Kujtojmë se, lideri i VMRO – DPMNE-së, Hristijan Mickoski kërkoi takim liderësh me kryeministrin, Dimitar Kovaçevskin, për të caktuar datë për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Por, Kovaçevski refuzoi, duke thënë se nuk do të pranojë shantazhe dhe kërcënime. Si pasojë e kësaj, VMRO – DPMNE nga 10 maji ka filluar me aktivitet për bllokim të punës së Kuvendit. /KlanMacedonia/

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia