close
Top LajmeVendi

KODRA E DIELLIT: CERTIFIKOHET SIGURIA E GJASHTULËSES

Screenshot_6

Funksionimi i saj tashmë varet nga Ministria e Transportit


Teleferiku i ri me gjashtë ulëse në qendrën turistike në Kodrën e Diellit edhe këtë sezon dimëror vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes për vizitorët e Kodrës së Diellit. Sipas Elektranave të Maqedonisë shkaku i vonesës së vënies në funksion të teleferikut janë procedurat teknike dhe administrative në Ministritë përkatëse. Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, në një konferencë për media, konfirmoi se është dorëzuar certifikata e sigurisë për gjashtulësen në Kodrën e Diellit.

Nëse përfundojnë të gjitha procedurat e papërfunduara, siç është leja e përdorimit nga Ministria e Transportit, nga Elektranat e Maqedonisë së Veriut, në një përgjigje me shkrim për Klan Maqedoni, presin që gjatë janarit të fillojë shfrytëzimi komercial i gjashtë ulëses në qendrën e Skijimit në Kodrën e Diellit.

“Sot më 13.01.2020 nga ana e Inpektoratit Shtetëror për Inspektim Teknik pranë Ministrisë së Ekonomisë është marrë vendimi për vënien në përdorim të pajisjes teknike të gjashtulëses, që do të thotë se edhe zyrtarisht nga ana e organeve kompetente është konfirmuar rregullsia teknike e teleferikut të ri. Pas përfundimit të procedurës së gjithëmbarshme dhe marrjes së lejes së nevojshme nga ana e Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve krijohen kushte që “ELEM TURS” ta vë në funksion edhe shfrytëzimin e gjashtulëses për shfrytëzuesit.” –tha SHA Elektranat e Maqedonisë së Veriut.

Në komunikatën dërguar televizionit tonë nga Elektranat e Maqedonisë së Veriut gjithashtu thonë se të gjitha aktivitetet rreth gjashtulëses kryesisht kanë qenë dhe janë të karakterit administrativ. Të njëjtat kishin të bëjnë edhe me plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm për dorëzimin e kërkesës dhe marrjes së lejes nga Ministria përkatëse. /Artina Zeqiri/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia