close
Top LajmeVendi

KODRA E DIELLIT: EDHE SEZONI I RI PA INVESTIME SERIOZE

Screenshot_3

BEKTESHI: NË QEVERI KANË ARRITUR DISA APLIKIME


Kanë kaluar tetë muaj që kur Qeveria e Maqedonisë së Veriut paralajmëroi investime milionëshe në Kodrën e Diellit, por edhe ky sezon dimëror ka filluar pa ndonjë investim serioz.

Ish kryeministri, Zoran Zaev, në maj të vitit të kaluar, tha se në planin intervenues për investime 2021-2027 është edhe projekti për investime në Kodrën e Diellit, si qendër e skijimit.  Sipas paralajmërimeve, Kodra e Diellit do të jepet në koncesion 99 vjeçar, sipas ligjit për koncesione për partneritet publiko – privat transmeton KlanM.Megjithatë, për opinionin ende nuk është bërë e ditur se kush do të investojë në këtë qendër turistike.

KRESHNIK BEKTESHI, MINISTËR I EKONOMISË

“Sa i përket investitorëve në kuadër të Kodrës së Diellit, disa aplikime të cilat vetëm se kanë arritur në Qeveri në kuadër të ligjit për investime strategjike, në momentin që do të sillet vendimi përfundimtar atëherë si me çdo investim tjetër që ndodh në Maqedoninë e Veriut, kompania duhet që vet të njoftojë opinionin.”

Ndërkohë, ish kryeministri Zoran Zaev, në qershor të vitit të kaluar pati paralajmëruar se, negociatat për investim janë në fazën përfundimtare dhe se bëhet fjalë për një investitor evropian.

ZORAN ZAEV, ISH KRYEMINISTËR

“Jemi në fazën finale të bisedimeve dhe negociatave. Premtuam se ai do ta kumtojë hyrjen e tij në Maqedoninë e Veriut. Kemi letra, dokumente, kemi ardhur në fazë të caktuar, është sjell vendim i Qeverisë për miratimin e të gjitha ato projekte dhe u janë dhënë përgjegjësi institucioneve të hyjnë në finalizimin e dokumenteve juridike që të fillojnë me realizimin e investimeve të këtilla”.

Sipas paralajmërimeve, investimi do të jetë në vlerë prej 50+50 milionë, ndërsa si pjesë e investimeve që do të bëhen në këtë qendër turistike do të jetë edhe, gondola që lidh Tetovën me Kodrën e Diellit, sistem për borë artificiale dhe tre hotele./KlanMacedonia/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia