close
Vendi

KOLUMNA TELEVIZIVE: PASOJAT E MENDËSISË JENIÇERE

Turqi

Sigurisht që kohët e nizamëve kanë perenduar, por, si duket, jo edhe koha e mendësisë jeniçere. Kjo mendësi ende vuan pasojat e të qenit vazal të një ideologjie apo idolatrie që pikëtakimin e gjen jo në harqet e një ure që lidhin dy kultura e dy vende, por në varkat e  shpuara që nxjerrin andej lumit individë me sensibilitete të dyzuara e kaotike etno-kulturore.

 Nga Emin Azemi

Kemalistë, Erdoganistë, Gylenistë. Të gjitha këto atribuime, të ndërlidhura me emra politikanësh jashtë hapësirës sonë, po rishfaqen edhe njëherë në manualin e gjeopolitikës sonë private. Turqia si nocion gjeografik, por pse jo edhe emocional, ditëve të fundit ka nxjerrë në sipërfaqe një radiografi interesante prirjesh e pikëpamjesh, që si shkas morën grusht-shtetin e dështuar të premten e shkuar.

Asnjë ngjarje e madhe në afërsinë tonë gjeografike nuk mund të shikohet me indiferentizëm dhe, më së paku ato, si kjo që ndodhi në Turqi, që drejtpërdrejt apo tërthorazi prekin edhe sensibilitet grupore e individuale të njerëzve të hapësirës sonë. Së këndejmi, mund të mirëkuptohen edhe ato reagime që shprehin një dozë shqetësimi për fatet e këtij vendi euro-aziatik, sepse destabilizimi i tij reflektohet edhe në stabilitetin rajonal,  por si ti kuptojmë ato brengosje që zhvillimet e një vendi të huaj i përkthejnë si të ishin ngjarje tona të brendshme. Protagonizmi dhe tifozeria e kësaj lloj brengosjeje nuk bazohet gjithmonë mbi impaktin që mund të kenë ato ngjarje në planimetrinë tonë të përgjithshme kombëtare, por ekskluzivisht në një diopitri të ngusht, që shumë lehtë mund të identifikohet si interes klanor a grupor i njerëzve dhe qarqeve që metaforën për ‘’babën Dovlet’’ e kanë shndërruar në aksiomë të përditshmërisë së tyre.

Fundja, ç’të keqe ka edhe kjo metaforë, nëse ajo buron nga ndjeshmëria e pastërt e një kujtimi a nostalgjie, por s’na duket normale që lavjerrësi i animit të lëviz me aq dinamizëm në një kontekst social e kulturor tonin, e që nxjerr si përfundim atë thënien e moçme se ‘’shqiptarët vdesin për të qenë mercenarë të huaj’’.

Në krijimin dhe mirëqenien e kombit turk dhe Turqisë si shtet, shqiptarët e Ballkanit kanë dhënë jo pak mprehtësi lapsi dhe ashpërsi shpate, duke u integruar pastaj në rrjedhat shoqërore të këtij vendi me të gjitha kapacitet dhe resurset humane e intelektuale, fakt të cilin nuk e kanë mohuar edhe autoritetet e këtij vendi. Kështu kanë diktuar rethanat dikur dhe shqiptarët nuk kanë patur fuqinë dhe fatin që t’i ndryshojnë këto rrjedha të historisë, por ajo që hë për hë del të mos ketë ndonjë sens të madh mirëkuptimi është tendenca për t’u bërë pjesë e një milieu politik e kulturor që, jo vetëm se ndodhet fizikisht larg nesh, por në praktikë nuk prodhon kurrfarë efekti nxitës në zhvillimin shtesë të mirëqenies sonë sociale, kulturore e politike, pos atij që kthjelltësinë e ditës e shndërron në mjegull fushe.

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia