close
Top LajmeVendi

KORRUPSIONI NË BALLKAN KRAHASOHET ME PËRMBYTJET

Screenshot_7

Debat në kuadër të procesit të Berlinit


Përfaqësues të dhjetëra organizatave joqeveritare edhe gjatë ditës së sotme, në prag të Procesit të Berlinit në Shkup, debatojnë për çështje kyçe për rajonin – siguria, migracionet, sundimi i së drejtës dhe evropeizimi. Edhe më tej korrupsionin e krahasojnë me “vërshimet”, për ndaljen e të cilave janë të nevojshme bariera të forta. Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria për herë të parë bashkëkryesojnë me takimin e ministrave të kësaj iniciative.

Me shembuj figurativë nga rajonet tjera, ku lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është më e suksesshme, përfaqësues të organizatave joqeveritare “think-thenk” sot pasdite u përpoqën që të gjejnë formulën më efikase për sundimin e së drejtës në Ballkanin perëndimor. Një nga folësit korrupsionin e krahasoi me vërshimet, të cilat pa barierë të fortë depërtojnë kudo.

“Nuk mund të presim që sistemi gjyqësor i reformuar do të sjellë rezultate në qoftë se institucionet nuk mund të japin të dhëna, raste për prokurorë dhe gjykatës. Së pari duhet të punohet në parandalimin dhe detektimin.” –deklaroi Misha Popoviq, “Societas Civilis”.

Jovana Maroviq nga rrjeti “Politikon” citon shembullin e zbutjes së shkallës së korrupsionit në ishullin italian Sicili, përmes roleve udhëheqëse dhe presionin ndaj autoriteteve, nga ana e mediave dhe sektorit qytetar.

“Mediat e kanë marrë përsipër rolin e tyre me shumë kronika dhe komente për krimin e organizuar. Ky kontekst ka ndikuar te qeveria dhe te sistemi gjyqësor, të krijojnë më shumë hapësirë për përforcimin e luftës kundër krimit të organizuar.” –shprehet Jovana Maroviq nga rrjeti “Politikon Netvork”.

Në debat u kyçën edhe ministrat e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, Nikola Dimitrov dhe Ekaterina Zaharieva. Të dy janë nikoqirë të Procesit të Berlinit të sivjetshëm, që nesër në tryezë të përbashkët do të mbledhë gjithsejt 11 kolegë të tyre nga gjashtë vende të Ballkanit perëndimor dhe disa vende anëtare të BE-së. Mendimet për suksesin e kësaj iniciative diplomatike, që e ka ngritur kancelarja gjermane Angela Merkel në vitin 2014 me qëllim që të nxitet bashkëpunim më i madh në mes vendeve të Ballkanit, mbeten të ndara. Disa nga analistët thonë se iniciativat kryesore dhe paratë e ndara për ato ende janë vetëm në letër, pa zbatim të tyre. Të tjerët mendojnë se ka rritje të nivelit të komunikimit dhe përpjekje për qasje të përbashkët për zgjidhjen e çështjeve si ajo e emigrantëve, lëvizjes së lirë të njerëzve, zgjidhje e disa kontesteve bilaterale dhe ulja e suksesshme e harxhimeve për roaming në komunikimin telefonik. /Biljana Georgievska/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia