close
olimpiket

Vendimi u mor nga Presidentja Osmani për shkak të shkeljes së të drejtave të njeriut, i bashkohet SHBA dhe aleatëve

Kosova mori vendimin që të bojkotojë diplomatikisht Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit, duke iu bashkuar SHBA-së dhe vendeve të tjera aleate.

Bekim Kupina, këshilltari për mediat i Presidentes Vjosa Osmani sqaroi se vendimi u mor për shkak të shkeljes së të drejtave të njeriut nga autoritetet kineze, ndërsa në këtë event sportiv që do të zhvillohet në shkurt, nuk do të dërgohet përfaqësi diplomatike.

Kryeministri kanadez, Justin Trudeau tha se Pekini ishte në dijeni të shqetësimit prej një kohe të gjatë rreth të drejtave të njeriut nga shtetet perëndimore dhe vendimi i Kanadasë nuk ka pse të konsiderohet surprizë.

Edhe Kryeministri Boris Johnson tha se nuk i mbështet bojkotet sportive, por ministrat e qeverisë nuk kanë në plan që të jenë në event për shkak të akuzave për shkeljet e të drejtave të njeriut në Kinë. Gjithashtu Australia e Zelanda e Re njoftuan se do t’i bashkohen nismës e po ashtu edhe Lituania.

Marrëdhëniet midis shtetit të madh aziatik dhe aleatëve janë futur në një krizë, më seriozja që nga protestat e Tianan-men-it në vitin 1989. Kina akuzohet për shkelje të të drejtave të njeriut në Xiniang dhe për masa të ashpra ndaj grupeve pro-demokracisë në Hong Kong.

Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar Thomas Bach tha se shqetësim ishte pjesëmarrja e atletëve dhe komiteti e mirëpriste mbështetjen e ekipeve olimpike nga qeveritë. Kina i ka quajtur akuzat të pavërteta.

Klan News

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia