close
Rajoni

KOSOVA VOTON PËR PUSHTETIN E RI LOKAL

votim

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), zgjedhjet zhvillohen në 38 komuna të Kosovës, ndërkaq numri i votuesve në këto zgjedhje është 1,885,448. Ndërkohë, dyzet e njëmijë e dymbëdhjetë është numri i qytetarëve që sivjet kanë mbushur 18 vjet. Sot, ata do të kenë mundësi të votojnë për herë të parë, në zgjedhjet komunale. Numri i qendrave të votimit në tërë Kosovën është 883 ndërkaq i vendvotimeve është 2,477.

Në këto zgjedhje garojnë 166 kandidatë për kryetar të komunave, prej të cilëve 152 janë të gjinisë mashkullore e vetëm 14 të gjinisë femërore. Ndërkohë, numri i kandidatëve për Kuvende Komunale është 5,198, prej të cilëve 3,261 janë të gjinisë mashkullore e 1,937 të gjinisë femërore. Të gjithë këta kandidatë do të garojnë për gjithsej 1,002 ulëse nëpër Kuvendet Komunale.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka votuar i pari duke hedhur votën e tij në shkollën fillore “Lidhja e Prizrenit” në Pejë. Ai u ka bërë thirrje partive politike dhe këshillave të vendvotimeve që të kontribuojnë në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

“Meqenëse është fillimi i ditës qendra e votimit është hapur në ora 7:00. Ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës që të shfrytëzojnë këtë të drejtë votuese. Partitë politike dhe këshillat e vendvotimeve të kontribuojnë në mbarëvajtje të procesit zgjedhor”, ka thënë Radoniqi./KlanMacedonia

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia