close
Rajoni

KOSOVË: SHPALLEN REZULTATET PËRFUNDIMTARE TË ZGJEDHJEVE

Screenshot_7

Janë publikuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 6 tetorit në Kosovë.Sic njofton korespodentja e Tv Klan nga Prishtina Blerta Dalloshi Berisha, Konfirmohet fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje ndërsa koalicioni Nisma-AKR-PD mbetet jashtë Kuvendit.

Pas më shumë se një muaji KQZ-ja ka publikuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit.

Sipas tyre Lëvizja Vetëvendosje renditet e para me 26.15% të votave, LDK- e dyta me 24.45, PDK- 21.16, AAK-PSD 11.47, Lista Serbe 6.75 ndërsa Nisma AKR nuk ka arritur të kalojë pragun zgjedhor duke marrë  4.984 për qind të votave.

Përkthyer në deputetë LVV-ja ka fituar 32 ulëse në Kuvendin e Kosovës, LDK-ja 29, PDK 25, AAK 13 ndërsa PSD vetëm një deputet, derisa 20 vende janë për komunitetet.

Ndërsa kandidati më I votuar për kryeministër ishte Albin Kurti me 183 mijë e 868 vota pasuar nga kandidatja e LDK-së Vjosa Osmani e cila ka arritur të sigurojë 176 mijë e 188 vota. I treti ishte Kadri Veseli I PDK-së, i pasuar nga Ramush Haradinaj, ndërsa i fundit u rendit Fatmir Limaj nga koalicioni Nisma-AKR.

Pas rezultateve nga KQZ se nuk do të jetë deputet i legjislaturës së shtatë Dardan Sejdiu ka dhënë dorëheqje nga strukturat e PSD-së.

Derisa drejtues të koalicioni Nisma AKR kanë paralajmëruar ankesë për shkak se sipas tyre votat e ardhura nga Serbia në mënyrë jolegale e kanë dëmtuar këtë koalicion.

Sipas kreut të AKR-së Behgjet Pacolli këto janë rezultate të manipuluara që nuk e pasqyrojnë vullnetin e popullit të Kosovës. “Përfshirja në numërimin e votave nga Serbia që janë dorëzuar në kundërshtim me ligjin dhe të cilat janë plotësuar kryesisht nga një person që përfaqëson Vuçiqin dhe Daçiqin në Kosovë është një skandal dhe një gabim historik”– ka shkruar Pacolli në Facebook.

Për certifikimin e këtyre rezultateve duhet pritur ankesat fillimisht në PZAP e më pas  në Gjykatë Supreme procedurë kjo e cila mund të zgjasë së paku tetë ditë. /Blerta Dalloshi-Berisha, Prishtinë/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia