close
Top LajmeVendi

VMRO-DPMNE: PËRJASHTOHEN EDHE MIJALKOVI E TODOROVI

Screenshot_2

Dimovski: Veprimet çojnë në izolimin e partisë


Komiteti Qendror i VMRO-DPMNE-së opozitare ka kërkuar mbrëmë përjshtimin nga radhët partiake të Sasho Mijalkovit, ish-shefit të policisë sekrete dhe të ish-ministrit të Shëndetësisë, Nikola Todorov. Për ta thuhet se janë fajtorë që shtatë deputetët, edhe ata të përjashtuar, votuan fillimin e ndryshimeve kushtetuese për të implementuar Marrëveshjen me Greqinë lidhur me emrin. Bëhet e ditur se ish-kreu i partisë, Nikola Gruevski, mbetet dhe më tej kryetar nderi.

Forca kryesore opozitare në Maqedoni, djathtistja VMRO-DPMNE, ka hapur mbrëmjen e së hënës një front spastrimi të radhëve të veta që duket se ka për ta çuar përfundimisht larg shinave të një të djathte moderne evropiane. Pas përjashtimit të shtatë deputetëve të cilët votuan pro fillimit të ndryshimit të Kushtetutës, për t’i hapur kështu rrugë zbatimit të Marrëveshjes së Prespës, Komiteti Qendror i kësaj partie ka kërkuar edhe përjashtimin e Sasho Mijalkovit, ish-shefit të policisë sekrete dhe një ndër anëtarët me stazh më të gjatë partiak dhe të ish-ministrit të Shëndetësisë, Nikola Todorov. Gjithashtu, Mitko Jançev është shkarkuar nga posti i nënkryetarit. Nga Komiteti Ekzekutiv i Partisë është shkarkuar edhe Kostadin Bogdanov.

Këto masa të rrepta janë arsyetuar me, sikurse thuhet, bashkëpunimin e fuqishëm me kryeministrin Zoran Zaev dhe për shkak të veprimeve të organizuara për shantazh, kërcënime dhe blerje të deputetëve të VMRO-DPMNE-së, me qëllim të votimit të ndryshimeve kushtetuese. Nënkryetari i kësaj partie, Aleksandar Nikolovski, mbrëmë vonë, bëri të ditur se shefi i partisë Hristijan Mickovski kishte kërkuar, por kjo njëzëri ishte hedhur poshtë, mbajtjen e Kongresit të jashtëzakonshëm për t’iu nënshtruar edhe vet një votëbesimi.

Njohësit e rrethanave thonë se ditëve në vazhdim kanë për t’u përshkallëzuar fërkimet e brendshme, aq më tepër për shkak të mospajtimit me veprimet e fundit sanksionuese të cilat, sikurse shprehet Ilija Dimovski, deputet dhe deri vonë një ndër eksponentët kryesorë të VMRO-DPMNE-së, e çojnë partinë drejtë izolimit.

Zëvendës-ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Metju Palmer, gjatë vizitës së të hënës në Shkup, bëri të ditur se për shkak të pikëpamjeve të ndryshme lidhur me gjendjen aktuale në Maqedoni kishte anashkaluar qëllimisht takimin me kreun e VMRO-DPMNE-së, Mickovski, si dhe shefin e Shtetit Gjorge Ivanov./ Klan Macedonia/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia