close
Rajoni

KRIZA E REFUGJATËVE: SLLOVENIA ANGAZHON EDHE USHTRINË

no thumb

 

Kriza e refugjatëve dhe emigrantëve ka shtyrë Slloveninë që të marrë vendim për të dërguar edhe ushtrinë në vijën kufitare me qëllim të përballjes sa më lehtë me valën në rritje të refugjatëve nga Kroacia fqinje, pas mbylljes së kufirit nga ana e Hungarisë.

Parlamenti slloven duhet të miratojë me procedurë të shpejtuar ndryshim-plotësimet e Ligjitit mbi mbrojtjen në mënyrë që t’i hapë rrugë dërgimit të ushtrisë në kufirin me Kroacinë. Kryeministri Miro Cerar ka shpjeguar se nuk është fjala për vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme, por për forcimin e kontrollit në kufi. Agjencitë e lajmeve bëjnë të ditur se një vendim i këtillë i autoriteteve sllovene pason hyrjen e pakontrolluar të refugjatëve dhe nëpër të ashtuquajturin kufi i gjelbër, domethënë jashtë vendkalimeve kufitare.

Televizioni slloven e ka shpjeguar vendimin e autoriteteve për dërgimin e ushtrisë në kufi, si alarm për Bashkimin Evropian se Kroacia fqinje ka shkelur marrëveshjen  e arritur për pranimin e refugjatëve. Bëhet e ditur se Sllovenia nuk posedon kapacitete të tjera për pranimin e  mijëra refugjatëve. Vetëm gjatë tri ditëve të fundit  bëhet e ditur se në  këtë vend kanë hyrë rreth 20 mijë refugjatë. Gjendja nuk është e mirë as në Kroaci ku po ashtu vazhdon hyrja e pakontrolluar e refugjatëve nga Serbia fqinje. Organizata të gazetarëve kanë dënuar një ndërhyrje të  policisë kroate ndaj ekipeve televizive që po mbulonin rrugëtimin e tyre drejtë vendeve të premtuara – të Bashkimit Evropian.Me qëllim të një mbrojtjeje më të mire, autoritetet kroate nuk janë larg vendimit të Hugarisë që edhe ata të vendosin njëfarë gardhi kufitar me Serbinë. Kryeministrit i kësaj të fundit, Aleksandar Vuçiq, ndërkaq e ka përjashtuar një mundësi të këtillë, edhe pse për momentin në Serbi  ndodhen  rreth 12 mijë e 500 refugjatë e emigrantë. /Agjencitë e lajmeve/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia