close
VendiVideo

KRIZA POLITIKE: PAS HANIT EDHE BEJLI – I ZHGËNJYER!

no thumb

 

Në mesnatë skadon afati deri kur partitë nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinës duhet të merren vesh për zgjedhjen e qeverisë kalimtare, në të kundërtën do të tejkalohet afati që vlerësohet si një nga shtyllat e kësaj Marrëveshje. Brukseli dhe komisioneri Han kanë vënë rekomandimin në pikëpyetje nëse nuk respektohet marrëveshja dhe këtë ua kanë transmetuar edhe liderëve politik në bisedimet e mbrëmshme. Pozita dhe opozita paralajmërojnë se nëse nuk ka marrëveshje gjithçka do të vëhet në tavolinë. Për nesër ekipi i ekspertit belg Piter van Hojte ka paralajmëruar takim për çështjet që kanë të bëjnë me median dhe pozitën e saj, me theks të veçantë mbi servisin publik Radio Televizionin e Maqedonisë. Sidoqoftë epilogu negativë i takimit të mbrëmshëm ka dëshpruar më së shumti ata që investuan në këtë marrëveshje – diplomacinë euroamerikane…

Ambasadori amerikan në Shkup, Xhes Bejli, në rrjetin social Tuiter ka lënë të kuptohet se është thellë i brengosur nga paaftësia e liderëve politik për të arritur marrëveshje.

Marrëveshjet e Përzhinës, janë udhërrëfyes nëpërmjet të cilëve sigurohet përgjegjësia, përmirësohen kushtet për zgjedhje fer dhe të lira dhe do t’i jap fund krizës politike në Maqedoni. Nevojitet vullnet politik që të dakordohen çështjet tjera të marrëveshjes – ka shkruar ambasadori amerikan në Shkup Xhes Bejli në rrjetin social Tuiter.

Pas bisedimeve maratonike Komisioneri Johanes Han ka theksuar se po largohet i dëshpëruar nga Maqedonia duke përmendur se Evropa nuk mund t’ua kryejë punën politikanëve të vendit. Ai ka paralajmëruar se mossuksesi i bisedimeve mund të reflektohet në eurointegrimet e vendit.

 Për fat të keq duhet të ju njoftoj se nuk arritëm marrëveshje. Jam i dëshpëruar që nuk u arrit ujdi për rirenditjen në Qeveri ashtu siç u caktua në marrëveshjen Qershor/Korrik. Kishin disa javë për t’u përgatitur, por si duket nuk ishte e mundur. Ekzistojnë ende disa mundësi që të arrihet ujdia. Shpresoj ta kenë kuptuar seriozitetin e situatës. Ishte ditë e keqe, shpresoj që nesër të jetë ditë më e mirë që të arrihet marrëveshje. Është e nevojshme pasi ka  të bëjë me qëndrimin në një marrëveshje të shkëpqyer e cila u pranua edhe nga faktori ndërkombëtar në Qershor/Korrik.

Nuk mund të them se çka do të thotë për aspiratat evropiane, por ajo çka mund të them se nevojitet, është lidership, përgjegjësi, kujdes ndaj interesave të vendit.Njerëzit e mi do ta kenë nën mbikëqyrje situatën, mirëpo ne nuk mund ta kryejmë atë.

Jam i dëshpruar, por mbetem optimist dhe shpresoj të ketë rezolutë mbi gjitha  çështjet  dhe të vazhdohet me implementim të asaj çka jemi marrë vesh që të kemi një rezultat pozitiv që do dalë nga tërë ai mund që do na çoje drejt një procesi fer, transparent dhe serioz të zgjedhjeve deri në fund të Prillit të ardhshëm i cili do ta stabilizojë vendin.” – deklaron Johanes Han – Komisioner për Zgjerim i BE-së.

Siç deklaruan përfaqësuesit e partive politike pjesa më e madhe e kohës ishte harxhuar në atë se a do të ndalohet publikimi i materialeve tashmë të publikuara dhe si do të jetë roli i zëvendës-ministrave të rinj në Qeveri.

“Shpenzuam mjaft kohë sot në bisedime intensive për të gjitha pesë temat. Nuk arritëm të  arrijmë marrëveshje finale edhe pse kishte përparim në përafrim të qëndrimeve.

Folëm për Ligjin për materialet (e përgjuara). Nesër presim të thirret prap takim pune ku do të vazhdojmë të diskutojmë për marrëveshjen.

Këtu po tentojmë të gjejmë balancë mes një interesit publik në kuptim të mbrojtjes së lirive të të shprehuritë dhe nga ana tjetër kërkuam respektim të marrëveshjes së 2 Qershorit /15 Korrikut. Biseduam edhe për Ligjin për Informatorët ku po shqyrtojmë disa aspekte dhe standarde që i ka nëpër vendet evropiane dhe që paraqet risi në ligjvënien në Maqedoni”  – shprehet Ilija Dimovski – VMRO-DPMNE.

“Nuk mund ta kuptoj, as unë, as ekipi ynë negociator, besoj se edhe opinioni maqedonas, si mundet që për dikë, më e rëmdësishme është që për këto 12 orë bisedime më shumë se 8-9 orë të harxhohen, për rëndësinë e sjelljes së ligjit për ndalimin e publikimit të bombave politike nga ardhmëria evropiane e Maqedonisë. Me të vërtet as unë dhe askush prej nesh të kemi një shpjegim racional, se nuk mundet të arrihet marrëveshje, për gjëra të thjeshta dhe me këmbëngulje të blehet kohë në momentet e fundit.” – tha Zoran Zaev – LSDM.

Kryetarët e dy partive shqiptare më herët lëshuan takimin. I pari është larguar lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi, i cili nuk është prononcuar për mediat. Pas tij është larguar edhe lideri i BDI-së Ali Ahmeti i cili ka theksuar se janë marrë vesh që takimet e grupeve të punës të vazhdojnë për të precizuar disa çështje.

“Sot skadon afati për emërimin e ministrave dhe zv.ministrave të rinj, sipas Marrëveshjes së Përzhinës. Ministrin e Brendshëm do ta propozojë LSDM-ja, por në konsultime me VMRO-në dhe BDI-në, gjithashtu LSDM-ja duhet ta emërojë edhe ministrin e ri të punës dhe politikës sociale, kurse zëvendësi i tij do të jetë nga VMRO-DPMNE. Ata do të qëndrojnë në pozitat e tyre në Qeveri deri më 15 Janar, 100 ditë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që do të mbahen më 24 Prill të vitit të ardhshëm.” – përfundon Ali Ahmeti – BDI. /K. S./

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia