close
Vendi

KRYEMINISTRI ZAEV URON DITËN E ALFABETIT TË GJUHËS SHQIPE

d187d0b5d181d182d0b8d182d0bad0b0-d0bdd0b0-d0bfd180d0b5d182d181d0b5d0b4d0b0d182d0b5d0bbd0bed182-d0b7d0b0d0b5d0b2-d0bfd0be-d0bfd0bed0b2_5ef75939195ad

GJUHA DHE ALFABETI JANË PJESË E KODIT GJENETIK TË NJË KOMBI


Dita e krijimit të Alfabetit të gjuhës shqipe ka një rëndësi të madhe për të gjithë shqiptarët dhe kjo datë konsiderohet si një nga ngjarjet kryesore në historinë e shqiptarëve dhe në historinë tonë të përbashkët. Këtë e shkroi kryeministri Zoran Zaev në urimin me rastin e Ditës së Alfabetit të gjuhës shqipe.

“Në qytetin e konsujve, i cili u zgjodh si selia e këtij kongresi, që u mbajt nga 14 deri më 22 nëntor 1908, u mblodhën një numër i madh i personaliteteve të shquar shqiptarë nga jeta kulturore dhe politike nga fillimi i shekullit të 20-të si: Kryetari i Kongresit, Mit’hat Frashëri, nënkryetarët Luigj Gurakuqi dhe Gjergj Qirijazi, kryetari i Komisionit, Gjergj Fishta, si dhe e vetmja grua e Kongresit – Parashqevi Qirijazi, e cila më vonë e shkruajti abetaren e parë të gjuhës së standardizuar shqipe dhe alfabetin i cili përdoret edhe në ditën e sotme. Sot, në Muzeun e Alfabetit të gjuhës shqipe në Manastir, ndodhet edhe vendimi i alfabetit të standarizuar të gjuhës shqipe, si dhe kopja e tekstit të parë të shkruar në gjuhën shqipe nga Pal Engjëlli i vitit 1462”, thuhet në urimin e Kryeministrit Zaev.

Me unifikimin dhe standardizimin e alfabetit, shkrimi i gjuhës shqipe bëhet pjesë e shkrimeve të barabarta, moderne evropiane dhe pjesë e pasurisë së larmishme të trashëgimisë kulturore botërore

“Gjuha dhe alfabeti i saj janë pjesë e kodit gjenetik të një kombi dhe rrjedhin nga e drejta universale e vetëvendosjes. Në atë kod gjenetik janë elementët e identitetit dhe potencialet për komunikim, integrim shoqëror, arsim dhe zhvillim. Detyra jonë dhe e shtetit është të respektojë, ruajë dhe kultivojë veçoritë e gjuhës dhe shkrimit të secilit prej komuniteteve. Në këtë drejtim na bëjnë thirrje edhe vlerat evropiane, si vlera që ne i kemi pranuar sikur të ishin tonat, në rrugën e integrimit tonë në Bashkimin Evropian”, qëndron në urim.

Kryeministri Zaev theksoi se me kremtimin e Ditës së Alfabetit të gjuhës shqipe, konfirmojmë përkushtimin e përbashkët për respektimin dhe avancimin e diversitetit etnik dhe kulturor, përkatësisht pasurinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

“Ndërtojmë një shoqëri të vetme – të barabartë për të gjithë. Ndërtojmë shoqëri civile, njëkohësisht duke respektuar dallimet etnike, kombëtare, fetare dhe kulturore. Kjo është e veçanta dhe thelbi i unitetit që është ndërtuar ndër shekuj dhe paraqet detyrim për të ardhmen tonë të përbashkët. Prandaj jemi krenarë dhe prandaj diversitetin etnik dhe gjuhësor e konsiderojmë si përparësi dhe pasuri të përbashkët. Prandaj themi: Sot kur ne e shënojmë dhe festojmë Ditën e Alfabetit të gjuhës shqipe, së bashku festojmë ekzistencën dhe afrimin e dy traditave kulturore që kanë mbijetuar së bashku. Kjo është një dëshmi e fortë se gjuha dhe shkrimi janë ura e traditave, kulturave dhe trashëgimeve tjera shpirtërore. Janë çelësat që hapin dyert e botërave të tjera për të njohur, respektuar dhe ndihmuar njëri-tjetrin”, qëndron në urim. /KlanMacedonia

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia