close
Vendi

KUMANOVË: DY TË ARRESTUAR PËR VRASJEN E DJESHME

no thumb

Pas ngjarjes së djeshme tragjike në Kumanovë, ku si pasojë e përleshjes së amratosur, mbeti i  vrarë Xhemail Rexhepi i njohur në opinion si Komandant Shqiponja, ndërsa dy të tjerë morrën plagë të rënda, SPB e Kumanovës, sot ka dalë me deklaratë, në të cilën thuhet se tashmë janë arrestuar dy persona, ndërsa më shumë të tjerë janë ftuar në bisedë informative, me qëllim të ndriçimit dhe dokumentimit të plotë të rastit të djeshëm, ku jetën e humbi një person, ndërsa dy të tjerë u plagosën rëndë,në një lokal që gjendet në afërsi të Kazermës së qytetit dhe Fakultetit të Administrim Biznesit në Kumanovë, bën të ditur policia e Kumanovës, e cila poashtu ka paralajmëruar edhe dorëzimin e kallëzimeve penale për fajtorët.

Në kumtesën e SPB të Kumanovës, sqarohet se gjatë ditës së djeshme, në orën 15.30, në kafeterinë “Shpija jonë”, fjalosja në mes dy grupeve ka eskaluar në përleshje fizike, gjatë së cilës në një moment është gjuajtur edhe me armë zjarri, pas çka 45 vjeçari Xh.J. e ka humbur jetën. Siç bën të ditur SPB Kumanovë, dy persona të moshës 38 vjeçare, SH. R. dhe G. D. janë lënduar dhe për shkak të karakterit të lëndimeve janë dërguar në Qendrën emergjente në Shkup.

Edhe në kumtesën e sotme të policisë së Kumanovës, nuk thuhet asgjë lidhur me motivet dhe arsyen për këtë rast, që ndodhi dje në Kumanovë.

Ndërkohë, bëhet e ditur se njëri nga të arrestuarit, është Bajram Limani, ushtruesi i detyrës, kryetar i degës së BDI-së në Kumanovë, i cili mbrëmë vetë i është dorëzuar policisë në Kumanovë, ndërsa personi i dytë, thuhet se është personi që e ka shoqëruar atë gjatë ditës së djeshme, kur edhe ndodhi incidenti tragjik, por identiteti i tij ende nuk është bërë publik.

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia