close
Vendi

KUMANOVË: PAS GODITJES SË QËLLIMSHME ME MAKINË, VDES FËMIJA ALMIR ALIU

1211519

Ka ndërruar jetë, Almir Aliu, fëmija  katër vjeçar nga Kumanova, i cili u shtyp qëllimisht me veturë nga një serb (Boban Iliq) pas një zënke që pati ky i fundit me familjen e vogëlushit të ndjerë.

Siç ka njoftuar edhe TV ART sherri ka degjeneruar për arsye banale, respektivisht për shkak të radhës së pritjes në Shtëpinë e Shëndetit në Kumanovë. Në këtë zënkë, sipas versionit zyrtar të policisë, është përfshirë i dyshuari Iliç bashkë  dhe 3 persona të tjerë shqiptarë.

Pas largimit nga vendi ku ka ndodhur zënka, Iliç ka kërkuar përforcime të familjarëve të tij dhe në kthim e sipër, me veturën e tipit “Mercedes”, ka  tentuar të shtypë viktimën Sedat Aliu, bashkëshorten e tij dhe fëmijën 4 vjeçar. Të tre kanë përfunduar të lënduar, ndërsa më rëndë fëmija i tyre. Pasditen e djeshme, Almiri 4 vjeçar nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ndërroi jetë në Klinikën e Shkupit.

Merret vesh se edhe e ëma e Almirit ndodhet në gjejndje të rëndë shëndetësore, si pasojë e lëndimeve fizike  dhe tronditjes pasikike pas vdekjes së të birit.

Pas rastit, gjykata i caktoi 30 ditë paraburgim autorit të vrasjes, ndërkohë që strukturat udhëheqëse komunale, bashkë me përfaqëuesit politikë të BDI-së kanë bërë thirrje duke kërkuar që  t’i lihet ligjit dhe organeve të rendit të merren me rastin.

Zëvëndës ministri i MPB-së Agim Nuhiu në rrjetin social Facebook ka shkruar se vrasësi i Almir Aliut do të dënohet sipas ligjeve të Maqedonisë, duke shtuar se është e papranueshme që dikush të privohet qëllimisht nga jeta. Zoti e bekoftë Almirin!

Në nën tjetër, vdekja e Almirit të vogël ka tronditur jo pak njerëz, të cilët përmes hashtagut #WhoisAlmir4 po kërkojnë  të merr denimin e merituar autori i vrasjes. Gjithashtu kërkohet që ky rast të trajtohet paanshëm nga organet e drejtësisë, duke këmbëngulur që të mos zbatohen standard të dyfishta, për faktin se sulmuesi është joshqiptar. /TvArt/

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia