close
Rajoni

Kurti dhe Escobar bisedojnë për rrezikun e konflikteve të mundshme në Ballkan

thumbnail_31.1.2022-ZKM-1-11-900×600-1

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ka biseduar me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, lidhur me rëndësinë e paqes dhe stabilitetit në rajon, pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës.

Kurti dhe Esobar, i cili njëherësh është edhe zëvendësndihmës sekretar i Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, janë takuar në margjinat e Forumit Ekonomik të Delfit.

“U diskutua për ndikimin rus dhe rrezikun e nxitjes së konflikteve të mundshme në vendet e Ballkanit Perëndimor. Si pasojë e këtyre zhvillimeve, kryeministri potencoi nevojën për kthimin e vëmendjes për sigurinë në rajon dhe investimeve në Kosovë”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kurtit.

Edhe më herët Kurti, por edhe Bashkimi Evropian, kanë shprehur shqetësimin se konflikti në Ukrainë mund të zgjerohet edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Në këtë takim me Escobarin, Kurti ka rikthesuar edhe “domosdoshmërinë e integrimit të plotë të Ballkanit Perëndimor në NATO dhe Bashkim Evropian, për garantimin e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe kontinentin e Evropës”.

Kosova së fundmi ka rritur përpjekjet për integrimin drejt NATO-s. Në mars, Qeveria ka themeluar një grup punues ndërinstitucional për anëtarësimin e Kosovës në aleancën ushtarake që udhëhiqet nga SHBA-ja.

Escobar, ndërkaq, sipas njoftimit, ka thënë se Uashingtoni mbështet “synimet e Kosovës drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike”.​/REL

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia