close
Rajoni

KURTI: QEVERIA NË DETYRË DO TË VAZHDOJË PUNËN

Me 82 vota për, 32 kunder dhe 1 abstenim deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë rrëzuar mbrëmë qeverinë Kurti në një kohë kur Kosova si e gjithë bota po ballafaqohet me pandeminë e koronavirusit.  Votimi u bë me kërkesë partnerit të koalicionit LDK-së, pas shkarkimit të një ministry të kësaj partie pasi ai ishte shprehur në favor të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme pas situatës në Kosovë me COVID 19.

Rënie të domosdoshme për ngritje të nevojshme e ka cilësuar kryeministri në detyrë Albin Kurti shkarkimin e mbrëmshëm të qeverisë së tij nga deputetët e Kuvendit të Kosovës me kërkesë të partnerit të koalicionit qeverisës, LDK.

Në një status në Facebook ai ka shkruar se pa rënë qeveria si përbërje nuk bëhet qeverisja si përmbajtje.

“Qëllimi i mosbesimit nuk ishte rrëzimi i qeverisë sa dobësimi I qeverisjes. Ndërkaq kuptimi i mosbesimit ishte porosia e ambasadorit Grenell. Në Kosovë janë mbi 80 deputetë të gatshëm të rrezikojnë edhe jetët e qytetarëve vetëm që të kalojë shkëmbimi presidencial -ka shkruar Kurti në Facebook. Ai ka thënë se do të vazhdojnë si qeveri në detyrë të luftojnë bashkë pandeminë COVID19.

Derisa veprimi I parë që bëri mbrëmë Kurti menjëherë pas votimit të mocionit të mosbesimit, ishte shkarkimi i zv.kryeministrit në detyrë Abdullah Hoti I cili është nga radhët e LDK-së.

Në vendimin e shkarkimit nuk kishte ndonjë arsye të specifikuar nga Kurti.

Ka reaguar kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa. Nëpërmjet një statusi në Facebook ai ka thënë se në kohën kur po ballafaqohemi me Pandeminë e COVID 19, LDK nuk do t’I tërheq njëanshëm ministrant dhe zv.ministrat e saj nga detyrat e tyre në qeveri.

Sipas tij pas rënjes së koalicionit mbetet në vullnetin e kryeministrit në detyrë se a do të vazhdojë të punojë me ta.

Por zëdhënësi i qeverisë Përparim Kryeziu ka thënë për TV Klan se Kurti do të vazhdojë bashkëpunimin me ministrant në detyrë të LDK-së dhe se ka bashkëpunim të mirë me ta, derisa tha se nuk ka përgjigje kur u pyet për arsyen e shkarkimit të zv.kryeministrit në detyrë Hoti.

Ndërkohë ka reaguar zëdhënësja e Komisionit Evropian  Ana Pisonero e cila ka shkruar se votimi I mocionit të mosbesimit për qeverinë e vendos Kosovën në një situatë të vështirë politike, në një situatë të paprecedent të shkaktuar nga koronavirusi. /Blerta Dalloshi-Berisha, Prishtinë/

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia