close
Rajoni

Kurti shënon ditëlindjen e Skënderbeut, thotë se e ka frymëzim në punët e tij shtetërore e politike

kurti-beu

Kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar heroin kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në ditën e lindjes së tij. Ai tha se Skënderbeu është ikona e identitetit shqiptar, simbol i denjë i gjallërisë së kombit shqiptar dhe i dëshirës sonë për liri.

Kurti tha se përpjekjet për liri të kombit shqiptar kulmuan me epopenë e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Flamuri i kombit tonë mban edhe sot me krenari simbolikën e tij. Skënderbeu është dëshmia jonë historike për tërë botën se liria është vlera më e rëndësishme e njeriut dhe e popullit. Kur liria cenohet, populli hidhet në luftë çlirimtare me gjithçka ka, paçka fuqisë më të madhe të pushtuesit. Këtë e dëshmuan në shek. XX përpjekjet e kombit shqiptar për çlirim e bashkim kombëtar, veçanërisht epopeja e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Kurti, i cili ndodhet në SHBA për vizitë zyrtare, tha se kujtesa për Skënderbeun, për të cilin tha se ishte mbrojtës së lirisë së popullit të tij dhe Perëndimit, është frymëzuese edhe tani kur rreziqet ndaj sovranitetit janë aktuale.

“Për fat të keq, liria e popujve po rrezikohet sërish në dekadën e dytë të shek. XXI, në një kohë kur dukej se aspiratat për paqen dhe begatinë afatgjatë të kontinentit po bëheshin realitet. Rreziqet ndaj lirisë dhe sovranitetit popullor nuk mungojnë as në rajonin tonë. Prandaj, kujtesa jonë për Skënderbeun, si mbrojtës së lirisë së popullit të tij dhe i Perëndimit në kushtet e shek. XV është aktuale dhe frymëzon veprimtarinë tonë shtetërore e politike”./EkonomiaOnline

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia