close
Rajoni

Kurti: S’mund të ecim para në dialog, pa u distancuar Vuçiqi nga Millosheviqi e Putini

kurti-vucic-lajcak-750×430

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot ka folur me detaje lidhur me darkën e tij joformale që kishte mbrëmë në Berlin me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuqiq në prani të emisarit evropian për dialogun, Lajçak.

Kurti tha se ka mbrojtur interesin e Republikës së Kosovës dhe para vetës ka pasur kushtetutshmërinë dhe ligjet e vendit.

“Unë mbrëmë si kryeministër i Kosovës, kam përfaqësuar vullnetin e popullit dhe kam mbrojtur interesat e shtetit, gjithnjë duke pasur për dysheme dhe tavan, Kushtetutshmërinë dhe Ligjin e Kosovës. Pavarësisht a ka darkë apo jo, unë i këtillë jam dhe njësoj ndihem. Me shumë përgjegjësi për detyrën që mbaj, por të njëjtën kohë edhe me krenari për këtë përgjegjësi që më është besuar. E kemi theksuar tash e shumë vite, se nuk jemi në parim kundër dialogut, por nuk duam dialog pa parime. Një ndër parimet e dialogut është barazia e palëve. Në atë darkë nuk kemi pasur gjella të ndryshme, pra ka pasur barazi të palëve dhe i kemi diskutuar temat në dritën e takimit të 13 majit midis kryenegociatorëve. Më 13 maj unë, shpresoj se përfundimisht do t’i kemi marrëveshjet edhe për zgjidhjen reciproke për targat e automjeteve, çështjes së mos pagesës së energjisë në veri të Kosovës dhe po ashtu nevojës për përshpejtim të çështjes së zbardhjes së fatit të pagjeturve”, deklaroi Kurti, pas takimit me ministren gjermane të mbrojtjes Christine Lambrecht.

Ai përsëriti qëndrimin e prerë se dialogu me Serbinë duhet të ketë njohjen reciproke në qendër të marrëveshjes, ndërsa sipas tij, Vuçiq duhet të distancohet nga Millosheviqi e Putini.

“Ky dialog duhet të rezultojë me marrëveshje, por kjo marrëveshje duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër. Nuk them se njohja reciproke duhet të jetë i vetmi element i marrëveshjes, por duhet të jetë në qendër. Do të ketë edhe elemente të tjera, por të cilët nuk mund të kenë kuptimin pa këtë qendër që është njohja reciproke. Kosova nuk mund të kthehet para vitit 1999 kur është çliruar, Kosova nuk mund të kthehet para vitit 2008 kur e ka shpallur pavarësinë, Kosova nuk mund të kthehet para vitit 2010 kur është dhënë opinioni i GJND-së, që ka thënë se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkel ligjin ndërkombëtar. Po ashtu, Kosova nuk mund të kthehet para vitit 2012 kur ka përfunduar mbikëqyrja e pavarësisë. Ne duhet të ecim përpara dhe për të ecur përpara, presidenti i Serbisë duhet të distancohet edhe nga Millosheviqi dhe Putini. Kërkesa për kompromise në kushtet kur thotë se asnjëherë nuk do të njohë Kosovën, teksa nuk distancohet nuk është kërkesë për zgjidhje”, deklaroi kryeministri i Kosovës. Ai ndërkaq tha se ministren Lambrecht diskutuan për mbështetjen e Gjermanisë ndaj Kosovës në aspiratat e saj drejt anëtarësimit në NATO dhe BE.

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia