close
Top LajmeVendi

KUSH ËSHTË NIKOLA GRUEVSKI?: SHKËLQIMI DHE RËNIA E NJË POLITIKANI

auto_nikola-gruevski-640×4271483522075-640×427-620×330

Drejtësia, vonon e nuk harron


Nga Kryeministër në ‘Person në kërkim’, Nikola Gruevski është njeriu që jetoi shkëlqimin dhe rënien e vet, falë kokëfortësisë e cila, thonë ata që e njihnin, edhe i mundësoi ngjitjen në majat e pushtetit. Njeriu i cili i ballafaquar me disa aktakuza nga Prokuroria Speciale Publike, grishte policinë që ta arrestonin, ndërsa thirrte mbështetësit që të mos dorëzohen përpara pushtetit, provoi atë të njohurën: nga e thëna në të bërë ka një det të tërë! Sot, ish-kryeministri, ish- kreu i VMRO-DPMNE-së dhe aktualisht kryetar nderi i kësaj partie, Nikola Gruevski, ka kërkuar azil politik në Hungari.

Karriera politike e këtij 48 vjeçari nis që në vitin 1999 kur në kabinetin qeveritar të Lubço Georgievskit iu besua posti i ministrit të Tregëtisë e më pas të Ekonomisë dhe Financave. Para kësaj kishte fituar një përvojë bankare, përfshirë këtu edhe Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Bankën Botërore. Pas tërheqjes së Georgievskit nga kreu i partisë bëhet trashëgimtar i tij, ndërsa më 2006 merr postin e Kryeministrit.

Ekspertët e fushës së ekonomisë thonë se fillimi ishte shkëlqyes pikërisht për reformat e suksesshme që u manifestuan në rritje të dukshme ekonomike me lidhje të forta me organizmat financiarë ndërkombëtarë, por edhe me joshjen e investitorëve të huaj për të ardhur në Maqedoni. Agresiv nëpër paraqitje publike dhe fushata elektorale, Nikola Gruevski, rrëshqiti lehtë në nacionalizëm, me atë që quhet projekti SHKUPI 2014, por edhe me përhapjen e ligjërimit me tone antishqiptare. Këto veprime i dhanë pushtetin, çfarë rrallëkush e kishte – deri në vitin 2015 kur shpërtheu megaskandali i përgjimeve në masë që me bombat e aktivizuara nga kryeopozitari i atëherësh, sot Kryeministër, Zoran Zaev, shpërfaqën dyshime serioze për veprime të kundërligjshme korruptive e elektorale.

Pas një qëndrese gati njëvjeçare, Nikola Gruevski u zbraps – në mesin e janarit të 2016 kur u detyrua, kryesisht nga diplomacia ndërkombëtare, të firmos Marrëveshjen e Përzhinës dhe konform kësaj, para zgjedhjeve që pasuan –të spostohej nga nurmi një i Qeverisë. Pas zgjedhjeve të cilat edhe i fitoi duke dalë forca kryesore, dështoi të krijojë me shqiptarët mazhorancën parlamentare dhe u vetëmjaftua me postin e deputetit, por edhe atë të kryetarit të nderit të VMRO-DPMNE-së. I ballafaquar me disa aktakuza, Gruevski, si duket zgjodhi atë që mbase i konvenon më së shumti – largimin nga politika e ikjen nga drejtësia, pa çka se kjo e fundit mund të vonojë, por, si thonë, nuk harron! /Klan Macedonia/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia