close
Top LajmeVendi

KUVEND: DEBATE PËR KABINETIN E RI QEVERITAR

kuv

KOVAÇEVSKI: QEVERIA DO TË PËRBALLET ME SFIDA TË VJETRA DHE TË REJA

Programin dhe përbërjen e Qeverisë së re sot në foltoren e Kuvendit i ka prezantuar mandatari i LSDM-së Dimitar Kovaçevski, duke premtuar përparim ekonomik, kontroll të krizës korona dhe zgjidhje dinjitoze të kontestit me Bullgarinë. Qytetarët janë të lodhur çdo vit të votojnë në zgjedhje, theksoi Kovaçevski, duke iu përgjigjur kërkesave të vazhdueshme të opozitës për zgjedhje të parakohshme. VMRO-DPMNE-ja përbërjen e qeverisë që e propozon Kovaçevski e ka quajtur “kopje të keqe të të deritanishmes”.

Detyra kyçe e kabinetit të ri qeveritar, sipas mandatarit Dimitar Kovaçevski, është vazhdim i politikës së qeverisë së mëparshme, përkatësisht rritje ekonomike deri mesatarisht 5%, kontroll i pandemisë, zgjidhje për krizën energjetike.

DIMITAR KOVAÇEVSKI, MANDATAR, LSDM

“Këtë do ta arrijmë përmes rritjes së investimeve vendase dhe të huaja dhe rritje domethënëse të efikasitetit të realizimit të investimeve kapitale. Sfidë e madhe në ekonomi mbetet përballja me efektet e pandemisë dhe kriza energjetike. Që në fillim të mandatit Qeveria do të bëjë plan intervenues për mbështetjen e popullatës dhe të ekonomisë.”

Opozita tha se do të kritikojë deri nesër në mesnatë kur deputetët e VMRO-DPMNE-së nuk do të votojnë për kabinetin qeveritar, duke e vlerësuar si “kopje të keqe të të deritanishmit” dhe për përsëritjen e kërkesës për zgjedhje të parakohshme.

 ALEKSANDAR NIKOLOVSKI, VMRO-DPMNE

“Ne jemi këtu sot sepse populli e mposhti fuqishëm atë politikë, i dënoi poshtërimet kombëtare, korrupsionin, paaftësinë dhe dështimet në ekonomi. Humbja në zgjedhjet lokale ishte aq e madhe saqë askush nuk e vë në pikëpyetje. Për këtë arsye Zoran Zaev po largohet, por nuk pati guximin ta nxjerrë partinë e tij të përballet me popullin. Për këtë arsye nuk do ta mbështesim këtë qeveri.”

Derisa VMRO-DPMNE-ja e akuzon qeverinë e LSDM-së për luftën e humbur kundër krimit dhe korrupsionit, si dhe sistemit gjyqësor të dështuar, opozitarja Aleanca për Shqiptarët kritikat ia drejtoi ministrave të BDI-së dhe të LSDM-së të cilët mbeten në Qeveri.

HALIL SNOPÇE, ASH

“Ne u kemi dhënë 200 pasaporta narko kriminelëve që të lëvizin të lirë, duke e rrezikuar Zonën Shengen, Mijalkovi kur dëshiron hyn dhe del nga vendi, Gruevski u arratis, ndërsa Spasovski mbetet Ministër  i Punëve të Brendshme. Kemi mosndëshkueshmëri të personave të afërt me pushtetin, ndërsa zotëri Mariçiq vazhdon  të jetë ministër.”

Por, nga BDI-ja mendojnë ndryshe.

ARBËR ADEMI – BDI

Sot vendosim nëse do t`i japim “dritë jeshile” vazhdimit të projekteve zhvillimore dhe cilësisë së jetës, mekanizmave dhe strategjive të qarta për t`u përballur me sukses me krizën shëndetësore, energjetike, të migrimit dhe sfidave tjera globale. Para sfidave të këtilla, me rrugën drejt BE-së, sot është koha dhe momenti të tregojmë pjekuri politike në dobi të qytetarëve”

 Mandatari Kovaçevski në fjalimin e tij për kontestin me Bullgarinë theksoi se askush nuk do të negociojë për identitetin e popullit maqedonas dhe veçantinë e gjuhës, por dialogu do të vazhdojë në dobi të qytetarëve në të dyja anët e kufirit.

Kovaçevski në listën për kabinetin e ri qeveritar ka 21 Ministra, prej të cilëve 12 nga koalicioni I LSDM-së, 6 nga BDI-ja dhe 3 nga Alternativa.

Seanca ka filluar sot dhe mund të zgjasë më së voni deri të dielën në mesnatë. Për zgjedhjen e kabinetit të ri qeveritar duhet të votojnë së paku 61 deputetë./KlanMacedonia/

 

 

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia