close
Vendi

KUVEND: DEBATE PËR PROPOZIM-LIGJIN PËR REGJISTRIM

41419910-D3E8-418D-A32F-BDC3EFCED21B

VMRO-DPMNE PARALAJMËRON SHFUQIZIMIN E TIJ


Në Kuvend ka filluar debati për propozim-ligjin për regjistrim të popullsisë në Maqedoninë e Veriut, i planifikuar për muajin prill të këtij viti. Pasi zv/ministri i drejtësisë Agim Nuhiu i sqaroi kapitujt kryesorë teknikë në ligj, opozita i ka përsëritur dyshimet e saj se planifikon operacion politik në vend të atij statistikor. Lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski ka paralajmëruar grumbullim të nënshkrimeve nga qytetarët që të shfuqizohet Ligji, që për disa ditë pritet të votohet në Kuvend.

Debati në Kuvend ka filluar me pikën e 14-të, debat për propozim-ligjin për regjistrim të popullisë, me procedurë të shpejtë, me flamur evropian, për organizimin e numërimit pas 19 viteve në vend. Sipas arsyetimit të zv/ministrit të drejtësisë Agim Nuhiu, Ligji përbëhet nga 14 kapituj, do të mbahet llogari për përfaqësim të barabartë gjatë formimit të komisioneve të regjistrimit, ndërsa do të ketë mundësi që të regjistrohen edhe të shpërngulurit jashtë shtetit, në periudhën nga 1 marsi deri më 20 prill. Deputeti nga rradhët e BDI-së Arbër Ademi e sqaroi këtë pyetje, që është treguar si një nga më të ndjeshmet.

ARBËR ADEMI, DEPUTET, BDI

“Përgjigja është në nenin 6 ku në mënyrë eksplicite thuhet se më këtë regjistrim do të përfshihen shtetasit e RMV-së të cilët kanë vendbanim në RMV, pa marrë parasysh nëse në momentin e regjistrimit janë në RMV ose jashtë shtetit. Do të thotë se të gjithë qytetarët e RMV-së që në momentin e regjistrimit nuk janë në vendin tonë, që janë me punë të përkohshme, mund të regjistrohen nga ana e familjes së tyre ose online nga 1 marsi deri më 21 prill të këtij viti.”

Pikërisht regjistrimi i shtetasve që mungojnë dhe kërkesa e hedhur poshtë që identifikimi i qytetarëve të vërtetohet me aparat për leximin e shenjave të gishtërinjve, janë një pjesë e shumë vërejtjeve të opozitares VMRO-DPMNE, për shkak të të cilave partia kërkon anulim të ligjit dhe organizim të debatit gjithëpërfshirës për zgjidhje konsensuale  për regjistrimin.

HRISTIJAN MICKOSKI, VMRO-DPMNE

“Në qoftë se kjo nuk ndodh, pas keqpërdorimt të dukshëm të flamurit evropian, atëherë VMRO-DPMNE do të mobilizohet së bashku me qytetarët dhe do të ngrejë iniciativë në njësitë rajonale të Ministrisë së Drejtësisë  për grumbullim të nënshkrimeve për ligj që do të dorëzohet në Kuvend për shfuqizim të këtij ligji, që shumica parlamentare me rrugë të dhunshme planifikon ta miratojë.”

Nga VMRO-DPMNE edhe më tej pohojnë se mënyra me të cilën planifikohet numërimi i qytetarëve në vend, por edhe i atyre që jetojnë jashtë shtetit ka prapavi politike dhe nuk është vetëm operacion teknik, duke mos iu kthyer regjistrimit të filluar dhe më pas të anuluar në vitin 2011, kur pikërisht kjo parti ka qenë në pushtet, gjë që ka shkaktuar humbje materiale dhe për të cilën është ngritur edhe procedurë gjyqësore. Institucionet në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë të udhëhiqen sipas shifrave të regjistrimit të vitit 2002, me popullatë prej rreth 2 milionë banorë, ndërsa Mickoski pohon se numri i banorëve në vend për shkak të valëve të shpërnguljes është ulur në 1,5 ose 1,5 milionë banorë. /KlanMacedonia

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia