close
Xhaferi-koordinimi-800×445

Shumica parlamentare dhe tetë deputetët e përjashtuar nga koalicioni i VMRO-DPMNE-së kanë arritur marëveshje për formimin e grupit interpartiak për pajtim dhe integrim. Në koordinimin e sotëm te kryetari i Kuvendit është vendosur vetëm përbërja e grupit që do të udhëhiqet nga dy bashkë kryesues, nënkrytarja e Kuvendit Frosina Remenski  dhe deputetja e grupit të pavarur të deputetëve të VMRO-DPMNE-së, Emilija Aleksandrova.

“U vendos themelimi i grupit interpartiak parlamentar për pajtim dhe integrim, u vendos për përbërjen e këtij grupi parlamentar interpartiak i cili do të përbëhet nga nënkryetarët e parlamentit, koordinatorët e grupeve parlamentare, gjegjësisht zëvendësit e tyre kur ata nuk do të mund të jenë prezent, deputetët e Parlamentit të cilët nuk janë të organizuar në grupe parlamentare.” -tha Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.

Në takimin e sotëm nuk mori pjesë koordinatori i VMRO-DPMNE-së, ndërsa mbledhjen e sotme e lëshoi edhe deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Syrija Rashidi, i cili akuzoi se përmes këtij komisioni tentohet të hapet një derë e vogël për amnisti të pjesëmarrësve në ngjarjet e 27 prillit. Ai tha se pajtim mund të arrihet vetëm përmes barazisë etnike të qytetarëve të vendit.

“Natyrisht fjala pajtim është fjalë fisnike, mbështesim idenë e pajtimitit, por pajtim për interesat strategjike të vendit sikurse që është integrimi në NATO dhe BE por edhe mbyllja e të gjitha çështjeve të hapura politike me karakter etnik, aq më tepër që jemi në procedurë të ndryshimeve kushtetuese dhe mendoj që ky do të ishte një moment i mirë për arritjen e një pajtimi më të gjërë të klasës politike për të mbyllë një herë e përgjithmonë të gjitha çështjet e hapura politike këtu.”- deklaroi Syrija Rashidi, Aleanca për Shqiptarët

Nesër në Komisionin për Çështje Kushtetuese fillon debati për amendamentet për ndryshime kushtetuese, të propozuara nga Qeveria të cilat u dakorduan edhe me tetë deputetët e përjashtuar nga koalicioni i VMRO-DPMNE-së. Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi tha se debate në këtë komision do të përfundojë më së voni për 12 ditë, ndërsa u shpreh i bindur se opozita nuk mund të bëjë obstruksione pasi këtë nuk ja lejon Rregullorja për punën e Kuvendi

Deputeti i Lëvizjes Besa, Rexhep Memedi, po ashtu beson se debate do të përfundojë në kohën e paraparë me Rregullore. Ai shtoi se gjatë shqyrtimit në komision, kjo parti do të jep vlerësimin e vetë për secilin amendament veçmas.

Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Syrija Rashidi edhe sot përsëriti qëndrimin se kjo parti në fazën e shqyrtimit të amendamenteve të Qeverisë do të propozojë amendamente për përmirësimin e tekstit, ku do të përfshihen kërkesat e tyre. /Klan Maqedoni/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia