close
Vendi

KUVENDI ONLINE: PARTITË KËMBËNGULIN NË QËNDRIMET E TYRE

74DC5F5A-415C-4463-B4CE-1E20801A1D18

MBETET E PAQARTË NËSE DEPUTETËT NË IZOLIM DO TË MUND TË PUNOJNË NGA DISTANCA


Përfaqësuesit e partive parlamentare vazhdojnë të mbeten në qëndrimet e tyre lidhur me mbajtjen e seancave online apo mundësinë e deputetëve që janë në izolim të kyçen online në seancat parlamentare. Opozita këtë propozim e cilëson si anti kushtetues.

Koordinatori i grupit parlamentarë të VMRO-DPMNE-së, Nikolla  Micevski thotë se në përmbajtjen e tekstit të propozuar nuk është precizuar se seancat online vlejnë vetëm për situatën me pandeminë por thuhet që nëse deputetët rrezikojnë shëndetin e të tjerëve.

NIKOLA MICEVSKI, VMRO DPMNE

“Shohim një tentim për të bërë diçka jashtë marrëveshjes konsensuale. Janë të qarta reagimet e grupeve parlamentare të opozitës për një arsye të vetme, pasi numri prej 62 deputetëve nuk është i mjaftueshëm për punën e Kuvendit edhe në kushte normale, e jo më në situatë të këtillë”

Ndërsa koordinatori i LSDM-së, Jovan Mitrevski, ka theksuar se ndryshimet në rregullore lidhen vetëm me situatën e krijuar nga pandemia Kovid 19, dhe ka për qëllim funksionalitetin e Kuvendit edhe në këtë periudhë.

JOVAN MITREVSKI, LSDM

“Bëhet fjalë për këtë situatë dhe bëhet fjalë për deputetët që kanë vendim për izolim. Nuk ekziston ndonjë sëmundje tjetër ngjitëse që ka izolim. Pra bëhet fjalë për deputetë të cilët kanë vetëm vendim për izolim. Unë edhe gjatë gjithë periudhës së kaluar, në çdo deklaratë kam ftuar të sigurojmë konsenzus sepse bëhet fjalë për miratim të Rregullores, në kuptim të asaj që bëjnë të gjitha shtetet demokratike. Pa ndërprerë ftojmë dhe nuk kemi përgjigje, ose ka përgjigje qesharake se është kundërkushtetuese”

Lidhur me reagimin e opozitës se edhe procedura e filluar është e papranueshme, është përgjigjur edhe numri një i Kuvendit, Talat Xhaferi. Ai për Agjencinë e lajmeve MIA, ka theksuar se të gjithë kanë qenë të njoftuar me kohë dhe arsyet për bojkotim të koordinimeve, për të janë të papranueshme.

TALAT XHAFERI – KRYETAR I KUVENDIT

“Thirja deri te deputetët e opozitës është të jenë të përfshirë në punën e Kuvendit. Të gjitha idejat janë kumtuar me kohë, tre muaj flasim për këtë temë. Kuvendi nuk do të punojë krejtësisht onlinë, nuk është kjo ideja e propozimit”

Seanca në të cilën në rend dite është vendosur propozimi për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit është caktuar për të enjten. Ndërkaq kujtojmë se mbledhjen e fundit koordinuese e bojkotuan koordinatorët e partive opozitare për shkak se, siç thanë ata, propozimi është dorëzuar pa konsultim me opozitën. /KlanMacedonia

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia