FTESË DY PALËVE QË TË JENË GATI PËR KOMPROMIS
25 takime ka zhvilluar brenda 3 ditëve sa ka qëndruar në Kosovë emisari special i BE-së për dialogun Miroslav Lajcak. Ai në konferencën që e mbajti në përmbyllje të vizitës së tij në Kosovë ka thënë qartë se nuk do të ketë marrëveshje gjithpërfshirëse nëse nuk zbatohet marrëveshja për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe.
Nëse nuk ka marrëveshje nuk do të ketë normalizim të marrëdhënieve dhe nuk do të ketë marrëveshje pa Asociacionin. Kosova e ka marrë përsipër zotimin, e ka nënshkruar. Asocicioni është pjesë e procesit të dialogut, ne nuk duam ta rihapim këtë temë por vetëm të implementohet ajo që është nënshkruar. Tha Miroslav Lajçak- Emisar I Be-së Për Dialogun
Për arritjen e marrëveshjea gjithpërfshirëse i ka ftuar të dyja palët që të jenë të gatshme për kompromise.
“Dialogu bëhet për të diskutuar cështjet e mbetura me Beogradin. Duhet të përmbyllen cështjet e hapura, por duhet të jetë e qartë se cdo marrëveshje duhet të dalë si rezultat i kompromisit. I ftojë bashkëbiseduesit të jenë të gatshëm për kompromis. Në të gjitha takimet partnerët e mi konfirmuan se Kosova do ti përmbush zotimet përfshirë edhe Asociacionin.” shtoi Lajçak
Pala serbe ka kërkuar që cështja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe të rikthehet në tavolinën e bisedimeve por ka hasur në kundërshti të fortë nga pala kosovare.
Krerët e institucioneve pas takimeve të ndara me Lajcakun në dy ditët e kaluara kanë thënë njëzëri se kjo cështje nuk do të ridiskutohet ndërsa kanë përmendur faktin se me marrëveshjet e mëparshme Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive.
Lajcak pas Prishtinës ka udhëtuar për në Beograd. /Blerta Dalloshi Berisha – TvKlan Prishtinë/