close
merkel-nona.jpg

“Faleminderit për besimin, shikojeni botën me sytë e të tjerëve”

Gjermania ka nderuar me një ceremoni ushtarake festive Kancelaren Angela Merkel para largimit të saj nga detyra. Nën dritën e pishtarëve dhe në prani edhe të Presidentit Steinmeier, forcat e armatosura federale i dhanë lamtumirën Kancelares që e drejtoi vendin për 16 vite me radhë.

Në fjalimin e saj të shkurtër, Merkel falenderoi gjermanët për besimin që i dhanë dhe iu bëri thirrje atyre të jenë optimistë për të ardhmen e kombit. Ajo i ka cilësuar këto 16 vite që ka mbajtur detyrën e Kancelares si shumë sfiduese politikisht dhe si qenie njerëzore.

“Krizat e shumta kanë treguar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe doja t’ju inkurajoja ta shihni botën edhe nga këndvështrimi i njerëzve të tjerë”, shtoi ajo më tej.

Për shkak të pandemisë, në ceremoni pati vetëm 50 të ftuar të cilët ishin te vaksinuar plotësisht.

Sipas traditës Merkel kishte zgjedhur për këtë ceremoni tri këngë gjermane të rrymave të ndryshme që treguan më shumë për karakterin e saj.

E lindur në qytetin e Hamburgut, Merkel u rrit në Gjermaninë Lindore komuniste përpara se të merrte drejtimin e një partie perëndimore katolike gjermane, si Bashkimi Kristian Demokrat (CDU) ku mbizotëronin meshkujt. Pas 16 vitesh në detyrë, ajo do të pasohet në postin e Kancelares nga socialdemokrati Olaf Scholz javën e ardhshme.

67-vjeçarja Merkel, la një hendek të madh për t’u mbushur. Ajo qeverisë Gjermaninë në një kohë të trazuar me kriza të shumta dhe është identifikuar si një kampione e demokracisë liberale përballë autoritarizmit në rritje në mbarë botën.

Tv Klan

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia