close
Rajoni

LARGIMI I DIPLOMATIT RUS: PËRPLASJE TIRANË – MOSKË

amb-ruse

MPJ E SHQIPËRISË: SHKELI KARANTINËN, MOSKA: PROVOKIM I QARTË


Diplomati rus Aleksej Krivoshev, që u shpall non grata nga qeveria shqiptare, është kapur nga policia në shkelje të karantinës edhe pse kishte rezultuar i infektuar, ndërsa në një tjetër rast nuk ka pasur të vendosur barrierën mbrojtëse, edhe pse ky rregull është i detyrueshëm për çdo shtetas shqiptar apo të huaj, që qarkullon në Shqipëri. Kjo të paktën është arsyeja zyrtare që bëhet e ditur nga autoritetet shqiptare.

Vendimi që e detyronte Krivoshevin të lerë vendin tonë brenda 72 orëve ka sjellë reagimin e Ministrisë së Jashtme të Moskës. Nëpërmjet zëdhënësit të kësaj ministrie, Moska zyrtare e cilëson provokim të qartë, që synon përkeqësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve shpalljen “non grata” të diplomatit. Diplomacia ruse kërcënon se ky hap jo miqësor nuk do të mbetet pa përgjigje.

Ndërkohë siç mëson Tv Klan, në çdo rast përgjigja e radhës së Moskës nuk mund të shkojë përtej reciprocitetit, pra largimi i një diplomati shqiptar në ambasadën tonë në Moskë, i të njëjtit nivel me Krivoshev.

Ambasada ruse në Tiranë ka bërë dy reagime njëpasnjëshme brenda 24 orëve duke përgënjeshtruar pretendimet e Ministrisë sonë të Jashtme. Sipas saj, emri i Krivoshevit nuk është përmendur asnjëherë më parë për shkelje, përpara se të shpallej publikisht ‘non grata’. Madje selia diplomatike pretendon se nuk ka asnjë provë dhe për shkeljen e karantinës nga ana e diplomatit.

Në deklaratë zbulohet se në Korrik të 2020, pala shqiptare ka ngritur pretendime për një tjetër diplomat, por dhe këto pretendime, thuhet në të nuk u përsëritën më në asnjë takim, deri sa punonjësi u largua në përfundim të shërbimit të tij diplomatik.

Ashtu si në deklaratën e Ministrisë së Jashtme ruse dhe Ambasada i cilëson akuzat e ngritura pa bazë dhe fiktive, që venë në dyshim dëshirën për zhvillimin e marrëdhënieve miqësore mes dy vendeve. Po ashtu pretendohet se është cënuar praktika diplomatike ndërkombëtare, duke bërë publik emrin e diplomatit pasi në këtë mënyrë, thuhet në deklaratë, cënohet siguria e tij personale. Dhe nëse kjo mund të ndodhë duhet të publikohet emri vetëm pasi diplomati të ketë lënë vendin./Tv Klan/

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia